Urdhër-arrestet nga SPAK-u, zbulohen emrat!

vovalbania November 21, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Urdhër-arrestet nga SPAK-u, zbulohen emrat!

Dalin detaje ekskluzive mbi akuzat dhe aksionin e mbrëmjes së kaluar që po vazhdon ende. Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha bën të ditur se Ervin Mata, i cili mund të gjendet jashtë vendit, po ashtu dyshohet për grup të strukturuar kriminal, trafik narkotikësh e kryerje të veprimeve nga organizata kriminale. Ndërkaq, masë sigurie është vendosur edhe për Ismail Zenelin, të cilit veç akuzave që rëndojnë mbi Matën, i shtohet edhe ajo e sigurimit të kushteve për të kryer vrasje.

Bujar Ajeti, nga Kukësi ka të njëjtat akuza si Zeneli. Ndërkohë që Dedian Gjoni, shef i Krimeve në Komisariatin nr.6 në zonën e Kombinatit në Tiranë, i cili është nga Lezha dyshohet të ketë siguruar kushtet për të kryer një vrasje, në bashkëpunim me grupin kriminal. Djali i Erzen Breçanit, dyshohet dhe për trafik ndërkombëtar droge e pastrim parash.  Ish-zyrtari policor dhe i ati i Eralbit, Erzen Breçani dyshohet për veprat e pastrimit të parave e përkrahje të autorit të krimit.

Po ashtu, në listë gjenden Besmir Murati, Artan Sulejmani, Albert Prenga, si dhe Bajram Grabova, të dyshuar për trafik lëndësh narkotike. Grupi trafikonte kokainë nga Ekuadori e nga Kolumbia drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Jonida Babameto është arrestuar për kohën kur ishte oficere në Interpol dhe ka dyshime se  përcille informacione tek grupi.

Ndërkohë që planet për të vrarë kundërshtarët ndodhën midis viteve 2019- 2020 në Durrës, Belgjikë e në Holandë.

Veç prishjes së pazareve për ngarkesat e drogës, shkak i planeve për krime ishte dhe ajo e përplasjes e po ashtu hasmërive mes Ervis Martinajt ( i shumëkërkuar dhe me dy masa sigurimi në mungesë “Arrest me burg”) dhe Ervin Matës (i kërkuar). Mes 5 vetëve në kërkim, dyshohet se 4 fshihen në Spanjë.

11 masat e sigurisë janë më vendim gjykate pas kërkesës së Prokurorit të Posaçëm të SPAK-ut, Vladimir Mara. Operacioni i bujshëm nisi mbrëmjen e djeshme dhe është në vijim. Lidhur me këtë operacion reagoi edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili tha:

Gjej rastin të përgëzoj policinë për realizimin me sukses të plotë të ndalimit të personave që ndodhen në territorin e Shqipërisë. Falënderoj për besimin dhe bashkëpunimin prokurorët e SPAK-ut. Falë këtij besimi dhe bashkëpunimi, besoj që ndajmë vlerësimin që e kemi ngritur në nivel tjetër goditjen e krimit të organizuar në Shqipëri, të përfshirë në vepra të rëndësishme penale, krime kundër personit, trafik droge. Falë këtij bashkëpunimi me SPAK-un, po çojmë në nivel tjetër procesin e vetëpastrimit në Policinë e Shtetit. Dosja në fjalë është një skaner i qartë i mënyrës si vatra kanceroze brenda policisë, ndër vite, kanë shërbyer si shërbëtorë të krimit të organizuar. Një pjesë e operacioneve po kryhen falë bashkëpunimit me policitë dhe prokuroritë e vendeve partnere.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49597 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE