Morën leje ndërtimi me dokumente false, arrestohen dy arkitektë!

vovalbania November 22, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Morën leje ndërtimi me dokumente false, arrestohen dy arkitektë!

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën “Arrest në burg” për dy arkitektë për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”, teksa ka sekuestruar pronat.

Në një njoftim thuhet:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka regjistruar procedimin penal nr. 1285, të vitit 2023 (i bashkuar), për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, me kallëzues në ngarkim të shtetasve M.T., A.T., F. Z., A.H., D. D., G.M., T.V. dhe M.D.

Deri në këtë fazë të hetimeve, rezulton e provuar se shtetasit e mësipërm, kanë aplikuar në sistemin E-Leje, nëpërmjet shtetasve A.P. dhe K.B. (arkitektë), si dhe janë pajisur me lejet e rindërtimit respektive.

Nga një verifikim i thjeshtë i koordinatave nëpërmjet aplikacionit “Google Maps”, rezulton se koordinatat e pasqyruara në relacione nga arkitekti A.P. apo K.B., tregojnë vendndodhje të ndryshme krahasuar me vendndodhjen reale të objekteve të konstatuara nga vetëdeklarimet pranë ASHK-së, apo edhe pa vendndodhje duke mos reklamuar koordinata.

Nga të dhënat e grumbulluara rezulton se objektet janë ndërtuar në ngastrat e ekonomive pyjore 1/a dhe 2/a, në juridiksionin e Bashkisë Tiranë.

Shtetasi G.M., administrator dhe ortak i vetëm i subjektit “Certi W South Balkans”, ka lidhur kontratë qiraje në datën 14.04.2021 me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit për sipërfaqen 2000 m2, e cila është pjesë e fondit pyjor, ngastra 1/a, për të cilin janë përpiluar aktet përkatëse, duke u konstatuar se disa prej strukturave me hekur dhe beton si dhe muri rrethues janë të pozicionuara në një sipërfaqe të fondit pyjor, e cila është dhënë në përdorim.

Arkitektet A. P. dhe K.B. kanë bërë të mundur aplikimin e të dhënave, të cilat tregojnë të dhëna të rreme, nëpërmjet E-Leje.

Pas verifikimeve, kërkohet vendosja e sekuestros preventive mbi objektet e ndërtuara nga M.T. me sipërfaqe 370 m2, të konstatuar sipas procesverbalit për konstatimin e kundërvajtjes nr. 5271 datë 12.01.2023, të IMT dhe vetëdeklaruar me aplikim nr. 62 datë 09.02.2023, pranë ASHK.

F.Z., me sipërfaqe 370 m2, të konstatuar sipas procesverbalit për konstatimin e kundravajtjes nr. 5272 datë 12.01.2023, të IMT dhe vetëdeklaruar me aplikim nr. 63 datë 09.02.2023.

A.T., me sipërfaqe 370 m2, të konstatuar sipas procesverbalit për konstatimin e kundërvajtjes nr 5270 datë 12.01.2023, të IMT dhe vetëdeklaruar me aplikim nr 65 datë 11.02.2023, pranë ASHK;

A.H., me sipërfaqe 370 m2, të konstatuar sipas procesverbalit për konstatimin e kundërvajtjes nr 5269 datë 12.01.2023, të IMT dhe vetëdeklaruar me aplikim nr. 72 datë 15.02.2023, pranë ASHK;

D.D., me sipërfaqe 360 m2, të konstatuar sipas procesverbalit për konstatimin e kundërvajtjes nr 2582 datë 30.01.2023, te IMT dhe vetëdeklarimit nr. 38 datë 01.02.2023, pranë ASHK;

T. V., vetëdeklaruar me aplikimin nr. 5714 datë 31.03.2022, pranë ASHK-së; dhe

M. D., i cili nuk rezulton të ketë bërë aplikim për ndërtimin e paligjshëm, por ka pretenduar se ka ndërtuar objektin e konstatuar bazuar në lejen e ndërtimit nr. K-10349/2.

Po kështu, ekzistojnë kushtet dhe kriteret për caktimin e masës së sigurimit arrest në burg për shtetasit A.P. dhe K.B.

Prokuroria thekson se, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se ata kanë kryer veprën penale të parashikuar nga neni 186/3 i K. Penal.

Arkitektët A.P dhe K. B. kanë bërë të mundur aplikimin e të dhënave të cilat tregojnë të dhëna të rreme, nëpërmjet E-Leje.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48875 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE