Kujdes nga ngricat! Zhbllokohen rrugët por në disa akse duhen zinxhirë!

vovalbania November 26, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kujdes nga ngricat! Zhbllokohen rrugët por në disa akse duhen zinxhirë!

Reshjet e dëborës dhe shiut që përfshinë territorin një ditë më parë kanë sjellë probleme me qarkullimin rrugor dhe furnizimin me energji elektrike në vend.

Qeveria ka bërë një përditësim të situatës, ndërsa është punuar gjatë gjithë natës për hapjen e akseve. Probleme vijojnë me energjinë elektrike.

Në qarkun Dibër ku edhe situata ishte më kritike mbrëmjen e së shtunës me bllokimin e Rrugës së Arbrit, u bë i mundur evakuimi i disa personave nga policia gjatë mbrëmjes, ndërsa të dielën është bërë i mundur qarkullimi në të gjitha akset, edhe në bypassin e Qafë Murrizit.

Problemet e shkaktuara nga ngrica nuk mungojnë, ku në disa zona të thella malore ka mungesë të energjisë elektrike.

Në qarkun e Kukësit raportohet se trashësia e borës në zona malore ka kaluar mbi 20 cm, ndërsa rrugët nacionale dhe malore janë të kalueshme, por me goma dimërore dhe zinxhirë. Ndërkohë furnizimi me energji mungon në disa njësi administrative të bashkive Kukës, Tropojë, e Has. Ashtu edhe në qarkun Shkodër, në zonat e thella malore kalimi i rrugëve bëhet vetëm me zinxhirë. Pavarësisht intensitetit të lartë të reshjeve të dëborës, akset Kir- Shosh dhe Bogë – Theth janë të hapura njofton ministria.

Në qarkun Lezhë, në lartësitë mbi 500 metra filluan reshjet e dëborës. Më problematike paraqitet situata në njësinë administrative Fan, bashkia Mirditë. Akset rrugore janë të gjitha të kalueshme, por në zonat malore nevojiten zinxhirë. Në qarkun Durrësit, dëbora ka shkaktuar probleme në njësinë administrative Cudh, por është ndërhyrë me mjete borëpastruese. Aksi rrugor Krujë-Qafështamë është i kalueshëm, por me zinxhirë.

Në qarkun e Elbasanit, ka patur rënie inertesh në rrugët që lidhen me Librazhdin e Pogradecin, por që janë pastruar dhe janë të kalueshme.

Ndërprerja e reshjeve të borës ka përmirësuar situatën edhe në juglindje. Në Korçë është ndërhyrë për hapjen e të gjitha rrugëve nacionale, por edhe atyre turistike drejt Dardhës dhe Voskopojës. Probleme ka me energjinë në bashkitë Pogradec, Devoll dhe Maliq të shkaktuara nga era e fortë, ndërsa grupet e OSHEE janë në terren për të rivendosur lidhjet. Në Vlorë ndërkohë, moti i keq ka pezulluar lëvizjen e anijeve deri të hënën, ndërsa dallgët në det të hapur shkojnë deri në tre metër lartësi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49533 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE