ARRSH: Qarkullim pa probleme në akset kombëtare!

vovalbania November 27, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
ARRSH: Qarkullim pa probleme në akset kombëtare!

Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH bën të ditur se qarkullimi vijon pa probleme në të gjitha akset kombëtare të vendit. Mësohet se gjatë orëve të natës e sot në mëngjes, reshje dëbore pati vetëm në Llogara të Vlorës, ku u punua për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës.

Ndërkohë temperaturat kanë qenë të ulëta, deri në -7 në zonat malore. ARRSH informon se grupet e punës të mirëmbajtjes kanë punuar pa ndërprerje në të gjitha akset me prani dëbore për shpërndarjen e kripës, me qëllim shmangien e ngricave. Po ashtu, Autoriteti këshillon drejtuesit e mjeteve që të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën, si dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.

Ulja e temperaturave e reshjet e borës që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit kanë prekur edhe malësinë e Tiranës. Sot në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ndau pamje nga malet e Tiranës, që në  këtë fund nëntori kanë veshur petkun e bardhë të borës.

Reshjet e dendura të borës kanë përfshirë me intensitet pesë qarqe të vendit, Kukës, Dibër, Korçë, Shkodër e zonat malore të Kurbinit. Njoftohet se të gjitha strukturat janë angazhuar në terren për të mbajtur të hapur për qarkullimin e mjeteve, akset kombëtare e ato rurale.

Reshjet e dëborës, në Kukës shumë rrugë rurale janë të kalueshme me zinxhirë, ndërsa të bllokuara mbeten ato për në njësitë Arrën, Zapod e Kalis. Nga subjektet kontraktore punohet për pastrimin, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të akseve kombëtare. Ndërkaq, ka probleme me furnizimin me energji elektrike në Njësinë Topojan e në disa fshatra të Malzisë.

Situata nga reshjet e borës në Mirditë po përmirësohet. Fshatrat Xhuxhë e Lari në Njësinë Administrative Fan, si dhe Bardhaj e Kthellë e Epërme në Njësinë Administrative Selitë, dolën nga izolimi. Sot vijon puna në terren për hapjen e rrugëve në Njësinë Orosh, për të bërë të mundur lëvizjen e banorëve në fshatrat Ndërshen, Nënshejt e Lajthizë.

Për ditën e sotme, vendi ynë do të ndikohet nga masa ajrore relativisht të thata e të qëndrueshme, si dhe njëkohësisht të ftohta, me origjinë veriperëndimore. Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin ndërsa duke filluar nga orët e pasdites e kryesisht të mbrëmjes pritet shtim gradual i vranësirave, deri të dendura.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE