Hamasi liron edhe një grup pengjesh e kërkon zgjatjen e armëpushimit!

vovalbania November 27, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Hamasi liron edhe një grup pengjesh e kërkon zgjatjen e armëpushimit!

Vazhdon armëpushimi i brishtë mes Izraelit e Hamasit, të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Një ditë më parë, grupi radikal palestinez liroi edhe 17 pengje, përfshirë 14 izraelitë e një amerikan. Në këmbim, Izraeli nxori nga burgjet 39 palestinezë.

Në mesin e të liruarve ishte Abigail Edan, një vajzë 4-vjeçe me shtetësi izraelite e amerikane, prindërit e së cilës u vranë gjatë sulmeve të Hamasit më 7 tetor, sulme që nxitën luftën. Presidenti Biden deklaroi:

Ajo ka përjetuar gjëra të paimagjinueshme. Qëllimi im është që të zgjatet armëpushimi, sa më shumë të mundet.

Sipas zyrës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu janë 9 të mitur, më i madhi 17 vjeç, në listën e pengjeve që pritet të lirohen. Sa i përket të liruarve, përfituan edhe tre shtetas tajlandezë. Po ashtu, Hamasi njoftoi se liroi edhe një peng rus “në përgjigje të përpjekjeve të presidentit Vladimir Putin”.

Pas lënies së lirë të 17 tajlandezëve, po punohet për lirimin edhe të 15 shtetasve të tjerë, po nga Tajlanda.

Ndërkaq, të burgosurit palestinezë të liruar janë të mitur e të rinj të moshave 15 deri 19 vjeç, të akuzuar për prishje të rendit publik, dëmtim të pronave e të tjera akuza për kërcënim ndaj zyrtarëve izraelitë përmes hedhjes së gurëve e koktejve të molotovit.

Sot lirohet grupi i katërt i pengjeve. Kjo është dita e fundit e armëpushimit e në total pritet lirimi i 50 të rrëmbyerve e 150 të burgosurve palestinezë, shumica gra e të mitur. Ndërmjetësit ndërkombëtarë të udhëhequr nga SHBA-të, Egjipti dhe Katari po tentojnë të zgjasin armëpushimin që nisi të premten.

Për herë të parë, Hamasi tha se po tenton të zgjasë marrëveshjen, duke synuar të lirojë numër më të madh pengjesh.

Ndërkaq, kryeministri izraelit Netanyahu bëri një deklaratë:

Bisedova me Biden-in e ripërsëriti kërkesën e tij për të zgjatur armëpushimin me një ditë më shumë për çdo 10 pengje që lirohen nga Hamasi. Por, Izraeli do të rinis ofensivën, me të gjithë forcën, sapo të mbarojë armëpushimi.

Para se të lirohej grupi i fundit i pengjeve, Netanyahu vizitoi Rripin e Gazës, ku u takua me trupat izraelite.

Në fund të ditës, ne do t’i kthejmë të gjithë. Ne do të vazhdojmë deri në fund, deri në fitore. Asgjë nuk do të na ndalë!

Nuk është e qartë si hyri lideri izraelit brenda Gazës. Kjo është pauza e parë e luftimeve gjatë shtatë javëve luftë, që shënon dhunën më vdekjeprurëse mes Izraelit dhe palestinezëve, në dekada.

Mbi 13 mijë e 300 palestinezë janë vrarë, shumica gra dhe të mitur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi. Në sulmin e parë të Hamasit në jug të Izraelit, u vranë mbi 1.200 persona, shumica civilë. Hamasi mori peng mbi 240 vetë.

Pauza në luftime mundësoi edhe dërgimin e ndihmës për 2.3 milion banorët e Gazës, që janë përballur me sulme të pareshtura izraelite, duke detyruar tre të katërtën e popullsisë të zhvendoset nga shtëpitë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49463 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE