Suedia pret që brenda javësh, Turqia t’i ratifikojë pranimin në NATO!

vovalbania November 29, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Suedia pret që brenda javësh, Turqia t’i ratifikojë pranimin në NATO!

“Turqia i ka konfirmuar Suedisë se brenda javësh pret që të ratifikojë pranimin e Stokholmit në aleancën ushtarake perëndimore të NATO-s”. Lajmi konfirmohet nga ministri suedez i Punëve të Jashtme, Tobias Billstrom. Vitin e kaluar, Suedia dhe Finlanda  kërkuan që t’i bashkohen NATO-s pasi Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Por, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, shteti i të cilit është anëtar i NATO-s, ngriti shqetësime duke argumentuar se “këto dy shtete mbrojnë grupe që Ankaraja zyrtare i konsideron terroriste”. Në muajin prill, Turqia mbështeti anëtarësimin e Finlandës në NATO, por jo edhe të Suedisë.

Duke folur para nisjes së ditës së dytë të takimeve me ministrat e Punëve të Jashtme të Aleancës, kryediplomati i Suedisë, Billstrom deklaroi:

Kam pasur një takim dypalësh me kolegun tim, ministrin e Jashtëm [të Turqisë]… dhe ai më tha se pret që ratifikimi të ndodhë brenda javësh.

Turqia ende nuk ka reaguar për këtë deklaratë. Po ashtu, Ankaraja kërkoi nga Suedia që të ndërmarrë më shumë hapa ndaj anëtarëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit në territorin suedez. Kjo forcë politike konsiderohet “grup terrorist” nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara.

Në përgjigje, Stokholmi miratoi një ligj kundër terrorizmit, që bën të paligjshëm anëtarësimin në organizata terroriste. Po ashtu, Suedia ka hequr kufizimet në eksportin e armëve me Turqinë. Stokholmi argumentoi se i ka plotësuar kërkesat e paraqitura në një marrëveshje që palët arritën vitin e kaluar.

Përveç Turqisë, edhe Hungaria ende nuk ka ratifikuar pranimin e Suedisë në NATO. Ministri i Jashtëm suedez tha se autoritetet hungareze i kanë konfirmuar se shteti i tyre, nuk do të jetë i fundit që pritet të ratifikojë pranimin e Suedisë në aleancë.

Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s, sot takojnë homologun e tyre ukrainas Dmytro Kuleba në Bruksel për të diskutuar situatën në fushën e betejës dhe mbështetjen për Kievin nga Perëndimi. Gjithashtu, në axhendë është përpjekja e Ukrainës për të përafruar aparatin e saj të mbrojtjes dhe sigurisë me standardet e NATO-s. Kjo në dritën e pranimit të mundshëm të ardhshëm të Ukrainës në aleancë.

Nga Brukseli, ministri i Jashtëm i Lituanisë, Krisjanis Karins, deklaroi:

Ne duhet të fillojmë të punojmë tani për hapat konkretë, mbi atë që mund të bëjmë si NATO, për të ndihmuar Ukrainën të përgatitet për t’u bashkuar me NATO-n! Ndoshta kjo përfshin çështje legjislative, sigurisht çështje ushtarake, procedura operacionale, pajisje, metoda për të bërë gjëra. Nuk ka shumë nevojë tani për të hyrë në debatin se kur dhe si Ukraina do të anëtarësohet në NATO, por ne duhet të marrim masa praktike!

Për herë të parë, ministrat e Jashtëm do të diskutojnë në Këshillin e sapokrijuar NATO-Ukrainë, i cili pritet të lehtësojë bashkëpunimin deri në plotësimin e kushteve për anëtarësimin e Ukrainës.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49068 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE