Rinisin sulmet në Rripin e Gazës, Katari kritika Izraelit për bombardimet!

vovalbania December 01, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Rinisin sulmet në Rripin e Gazës, Katari kritika Izraelit për bombardimet!

Katari njoftoi se po vazhdon përpjekjet për të ringjallur armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian. Doha shprehu “keqardhje të thellë” për rinisjen e bombardimeve izraelite në Rripin e Gazës.

Katari që ka luajtur rolin e ndërmjetësuesit, duket se ka veçuar vetëm Izraelin në rikthimin e dhunës.

Bombardimet e vazhdueshme në Rripin e Gazës që në orët e para pas përfundimit të pauzës së luftimeve, ndërlikojnë përpjekjet ndërmjetësuese e përkeqësojnë katastrofën humanitare në Gaza.

Katari i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar “të veprojë menjëherë, që të ndalet dhuna”. Mëngjesin e sotëm, Izraeli nisi sulmet ajrore në Rripin e Gazës, pasi marrëveshja njëjavore e armëpushimit përfundoi. Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi akuzuan njëri-tjetrin për dështim në arritjen e një pajtimi për zgjatjen e armëpushimit.

Katari ka luajtur rol kyç në ndërmjetësimin e marrëveshjes së parë të armëpushimit, që hyri në fuqi më 24 nëntor. Akordi fillestar përfshinte katër ditë, por u zgjat deri më 1 dhjetor, me ndërmjetësimin e Katarit e të Egjiptit.

Marrëveshja përfshinte lirimin e pengjeve që Hamasi rrëmbeu gjatë sulmit të 7 tetorit, në këmbim të lirimit të palestinezëve që mbahen në burgjet izraelite. Në 7 ditë armëpushim u liruan 83 izraelitë, përfshirë persona me shtetësi të dyfishtë. Po ashtu, 24 pengje të tjerë, mes tyre 23 tajlandezë dhe një filipinas u liruan.

Nuk dihet sa janë gra e sa ushtarë, në mesin e pengjeve të mbetura në Gaza. Izraeli njoftoi se 125 burra ende po mbahen peng.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 persona, si dhe rrëmbeu 240 të tjerë.

Izraeli u kundërpërgjigj me një fushatë të pareshtur ajrore e tokësore në Gaza, duke vrarë më shumë se 13 mijë persona. Si pasojë e luftimeve, mbi tre e katërta e popullsisë prej 2.3 milion banorësh në Gaza është zhvendosur tashmë.

Sulmet fillestare të Izraelit u përqendruan në veri të Gazës, por me rinisjen e luftimeve, zyrtarët izraelitë kanë paralajmëruar banorët në jug të territorit palestinez që të largohen, duke sugjeruar se Izraeli po e zgjeron ofensivën e tij edhe në jug.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48745 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE