Bllokohen 391 koli me mijëra fishekzjarrë, pranga dy personave!

vovalbania December 06, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Bllokohen 391 koli me mijëra fishekzjarrë, pranga dy personave!

Policia e Shtetit zbuloi një magazinë ku mbahej një sasi e madhe fishekzjarrësh, të kontrabanduara me qëllim shitjen. Uniformat blu ndaluan dy të rinjtë, që ishin dhe administratorë të biznesit. Sipas njoftimit të Policisë, zbulimi i magazinës së fishekzjarrëve vjen në kuadër të udhëzimit të përbashkët të 3 ministrave, për ndalimin e zhurmave në zonat e banuara dhe për ndalimin e përdorimit të lëndëve piroteknike, në kundërshtim me rregullat e me kriteret.

Si rezultat i veprimeve intensive të shërbimeve të Policisë, të mbështetura nga inteligjenca informative dhe të kryera në zbatim të planit të posaçëm operacional, të hartuar nga Policia e Shtetit, pas nënshkrimit të udhëzimit të përbashkët të 3 ministrave, me objekt ndalimin e zhurmave në zonat e banuara dhe për garantimin e përdorimit të lëndëve piroteknike, konform ligjeve në fuqi, është zbuluar një magazinë, në rrugën “5 Maji”, Tiranë, ku mbaheshin qindra koli me fishekzjarrë, të dyshuara të futura kontrabandë në vendin tonë, me qëllim shitjen.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë, në këtë ambient, janë kapur në flagrancë dhe janë arrestuar bashkë-administratorët e këtij biznesi, shtetasit I.K, 22 vjeç dhe E.S., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Në magazinë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 391 koli me mijëra fishekzjarrë të kalibrave të ndryshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, kryer në bashkëpunim”.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të mos përdorin lëndë piroteknike, në kundërshtim me rregullat dhe me kriteret e përcaktuara në aktet në fuqi, pasi do të ndëshkohen konform ligjit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48831 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE