Sot, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut/ Begaj: Ideal i përbashkët për të gjithë popujt!

vovalbania December 10, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Sot, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut/ Begaj: Ideal i përbashkët për të gjithë popujt!

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948 në Palais de Chaillot, Paris, lindi si përgjigje ndaj tmerreve të Luftës së Dytë Botërore dhe përfaqëson përpjekjen e parë globale për të artikuluar mbrojtjen e atyre të drejtave që shumë persona besonin se ishin të drejta themelore që i takojnë të gjitha qenieve njerëzore.

Në një reagim të bërë në rrjetin social facebook, ambasada e SHBA-ve në Tiranë shkruan se kjo ditë është kujtesë se ne të gjithë mund të ndihmojmë në krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë për çdo qenie njerëzore.

“Dita e të Drejtave të Njeriut | Sot shënohet 75 vjetori i një prej zotimeve globale më novatore në botë: Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Dita e të Drejtave të Njeriut shënon gjithashtu fundin e fushatës botërore të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Kjo ditë është një kujtesë se, përmes veprimeve tona, ne të gjithë mund të ndihmojmë në krijimin e një shoqërie të drejtë dhe të barabartë për çdo qenie njerëzore – pavarësisht nga raca, ngjyra, feja, gjinia, gjuha, opinionet politike ose opinionet e tjera, kombësia ose përkatësia sociale, pasuria, lindja apo përcaktime të tjera. Shtetet e Bashkuara janë krenare që mbështesin të drejtat e çdo njeriu”- thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Për 75 vjetorin e kësaj dite reagoi edhe presidenti Bajram Begaj i cili e cilësoi si një ideal të përbashkët për popujt arritjen e Deklaratës të të Drejtave të Njeriut. Ai u shkruan se kjo ditë përkon edhe me zgjedhjen për herë të tretë të Shqipërisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në OKB.

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, dokumenti themelor që ka shenjuar historinë e të drejtave të njeriut, përkon sot me 75-vjetorin e krijimit. Deklarata e të Drejtave të Njeriut është ideali i përbashkët, për të cilin luftojnë ta arrijnë të gjithë popujt dhe kombet, që në mënyrë të sigurt çdo individ të gëzojë i barabartë dhe pa diskriminim liritë dhe të drejtat themelore njerëzore. Është një përkim i bukur që në 75-vjetorin e saj, Shqipëria u zgjodh për herë të tretë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB. Institucionet tona do të vijojnë të mbrojnë dhe promovojnë të Drejtat e Njeriut për një botë me liri, drejtësi e barazi për të gjithë”- shkruan Begaj.

Çfarë ndodhi më 10 dhjetor 1948

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nxori dhe shpalli Deklaratën Universale pёr të Drejtat e Njeriut. Pas këtij akti historik, Asambleja ftoi të gjitha shtetet anëtare që ta shpallin tekstin e Deklaratës dhe të përpiqen që të përhapet, të paraqitet, të lexohet dhe të shpjegohet sidomos në shkolla dhe institucione të tjera edukative të të gjitha vendeve dhe shteteve pa marrë parasysh statusin e tyre politik.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50818 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE