Kushtetuesja pezulloi marrëveshjen me Italinë, Rama: E drejtë e saj!

vovalbania December 14, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Kushtetuesja pezulloi marrëveshjen me Italinë, Rama: E drejtë e saj!

Gjykata Kushtetuese pezulloi marrëveshjen me Italinë për emigrantët, kryeministri Edi Rama u pyet sot në konferencën për shtyp me gazetarë e tha se është e drejtë e saj.

Eshtë e drejtë e Gjykatës Kushtetuese, është e sanksionuar në Kushtetutë, detyra automatike e Gjykatës Kushtetuese për të qëmtuar një marrëveshje ndërkombëtare para ratifikimit të saj. Nuk kam asgjë për të shtuar se nuk shikoj që të lidhet më detyrat e mia.

Rama bëri të ditur se vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë një vlerësim shumë pozitiv për progresin e Shqipërisë. Teksa informoi mbi punimet e samitit të djeshëm BE-Ballkani Perëndimor, ku u diskutua perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimit europian, Rama u shpreh:

Në këtë samit u vu në pah progres i bërë, u fol për procesin e normalizimit Serbi-Kosovë, si dhe për nevojën e linjëzimit të plotë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në në aspektin e politikës së jashtme.

Po ashtu, shefi i qeverisë Edi Rama nënvizoi faktin se Komisioni Europian vlerësoi me nota shumë pozitive performacën e skuadrës sonë kombëtare të negociatave në fazën e parë të përmbushur të skanimit të krejt organizimit shtetëror të Shqipërisë si dhe të tregjeve tona.

Këto ditë do të organizoj edhe një takim falënderimi e motivimi për më tej të anëtarëve të kësaj skuadre, e cila në totalin e saj, po të marrim negociatorët, prezantuesit dhe kontribuesit është rreth 1 mijë vetë. Përfshihen jo vetëm institucionet e ekzekutivit, por edhe ato të pavarura. Një skuadër e cila ka bërë 777 prezantime në Bruksel gjatë 14 muajve nga çelja e procesit të negociatave të anëtarësimit. Mirënjohje për përkushtimin, profesionalizmin dhe disiplinën e 36 ekipeve përbërëse të kësaj skuadre që kanë lënë një mbresë të shkëlqyer. Këtë gjë e kam dëgjuar disa herë, por sidomos dje me përfaqësuesit e BE-së në këtë proces.

Lidhur me qëndrimin grek, Rama u shpreh:

Për Greqinë kam nënvizuar se kjo është çështje mes nesh e duhet ta trajtojmë mes nesh. Si Shqipëri, ne nuk e shohim të lidhur as me procesin e negociatave e as me përmbajtjen e marrëdhënieve tona me Greqinë që është partner strategjik dhe vend fqinj që duam të thellojmë bashkëpunimin dhe forcojmë miqësinë duke bërë gjithçka na takon ne. Ne duam të jemi një vend europian në BE, jo një shtet ballkanik në BE.

Kryeministri Rama nuk pranoi të japë një koment mbi hetimet për inceneratorin e Tiranës e shtoi  se do të flasë pasi të ketë një vendim nga tre shkallët e gjyqësorit.

Nuk marr njoftime individuale, janë pjesë e një procesi dhe mekanizmi vendimmarrjeje. Firma ime vendoset kur ka përfunduar puna dhe çështja x, y shtrohet në mbledhjen e qeverisë e pasi merr miratimin e gjithë ministrave. Në qeverinë time nuk merren miratime nëse çdo gjë nuk sheshohet më parë.

Nuk ndodh në qeverinë time që unë të imponoj futjen e çdo veprimi që vjen i pasheshuar nga gjithë mekanizmat e diskutimit dhe negocimit mes palëve e që do të thotë, firma në fund është thjesht zbardhja e një vendimi. Eshtë proces institucional, nuk është muhabet.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49967 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE