Shtyhet seanca për ish-kryeministrin/ Avokati i Berishës: SPAK do të hakmerret…

vovalbania December 26, 2023 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Shtyhet seanca për ish-kryeministrin/ Avokati i Berishës: SPAK do të hakmerret…

Është shtyrë për nesër në orën 11:00, seanca për Sali Berishën, pasi avokatët e ish-kryeministrit kanë kërkuar kohë për tu njohur me provat të reja se pse SPAK ka kërkuar ndryshim mase nga ‘detyrim paraqitje’ në arrest shtëpie’. Po ashtu avokatët kanë përsëritur sërish kërkesën për përjashtimin e gjyqtares.

Ndërkohë Genc Gjokutaj dhe Sokol Mengjesi, dy avokatët e Berishës u paraqitën në GJKKO. Vetë Berisha, nuk ishte prezent, ndërsa paralelisht mbajti një bashkëbisedim me të rinjtë e FRPD-së. Ndërkaq në ambientet e prokurorisë së Posaçme janë marrë masa të shtuara sigurie pasi kanë shkuar patrulla policie.

Në një deklaratë për mediat, avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj tha se në seancë u kërkua shkarkimi i gjyqtares Irena Gjoka. Avokati tha se në mënyrë të paligjshme, është kërkuar që ndryshimi i masës të bëhet me mbikëqyrje policore, çka tregon sipas tij, se SPAK do të hakmerret.

“Seanca kishte të bënte me zëvendësimin e masës, i kërkuam gjyqtares që të japë dorëheqjen për shkak të një anshmërie. Zoti Berisha ka qenë kryetari i KLD ku gjyqtarja e çështjes ishte shkarkuar. Vijoji seanca, deri në momentin kur shteruan, bëmë një set pyetjesh. Gjykata vendosi shtyrjen për nesër në orën 11. Ajo që unë dua të denoncoj, ndryshimi i masës është kërkuar me mbikëqyrje policore, e pambështetur në ligj, çka tregon qëllimin e SPAK jo për të bërë një proces të ligjshëm, pro për tu hakmarrë. Është e paparashikueshme në ligj kërkesa që kanë bërë për SPAK. Kur kemi munguar ndonjëherë në seancë ne. Nëse keni ndjekur seancën e kuvendit kemi drejtuar disa pyetje ku prokurori i SPAK tha që unë nuk jap përgjigje por kjo është pjesë e debatit. U dhanë disa përgjigje por nuk kishin lidhje me pyetjet tona. Ligji nuk parashikon mbikëqyrje policore.“-tha avokati për mediat.

Kërkesa e SPAK për zëvendësim mase u bë të premten vetëm një ditë pasi mori autorizimin nga Kuvendi, teksa gjyqtarja Irena Gjoka pritet që ta pranojë këtë kërkesë, pasi të dëgjojë palët, prokurorët e SPAK dhe mbrojtjen e Berishës.

Në votimin e seancës të së enjtes, 21 dhjetor 2023, në më pak se 9 minuta, me 75 vota pro Kuvendi miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të autorizuar për arrestimin e Sali Berishës. Tentativat e vakëta të Berishës, përmes tensioneve në Kuvend dhe protestës përballë, rezultuan të paefektshme për ish Kryeministrin.

Sali Berisha është nën hetim nga SPAK për akuzën e “Korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim. Në dosjen e klubit sportiv “Partizani” thuhet se ish Kryeministri ndikoi që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, sot në arrest shtëpie, të privatizojë kompleksin dhe ndërtojë 19 kulla të cilat i sollën fitim prej 5.4 mln euro.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49597 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE