Ushtria izraelite zgjeron ofensivën në kampet e refugjatëve në Gazën qendrore!

vovalbania December 27, 2023 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ushtria izraelite zgjeron ofensivën në kampet e refugjatëve në Gazën qendrore!

Forcat izraelite vazhdojnë të zgjerojnë ofensivën e tyre pasi edhe orët e fundit bombarduan kampet palestineze të refugjatëve në Gazën qendrore ndërsa iu kërkuan banorëve të evakuoheshin. Kompania që ofron lidhjet telefonike në Gaza njoftoi për një tjetër “ndërprerje të plotë” të shërbimeve në territorin e rrethuar.

Izraeli thotë se lufta do të zgjasë për “shumë muaj” ndërsa zotohet që të shtypë grupin militant Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Raportohet se forcat izraelite janë përfshirë në luftime të rënda në veri të Gazës, si edhe në qytetin jugor të Kan Junisit, duke i shtyrë palestinezët në zona gjithnjë e më të kufizuara, në kërkim të strehimit.

Pavarësisht thirrjeve të Shteteve të Bashkuara për Izraelin, që të reduktojë numrin e viktimave në mesin e civilëve, si dhe presionit ndërkombëtar për një armëpushim, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ushtria po thellonte luftimet. Ai kishte një mesazh:

Ne u themi terroristëve të Hamasit: Ne ju shohim dhe do të arrijmë tek ju!

Ofensiva e Izraelit është një nga fushatat ushtarake më shkatërruese në historinë e fundit. Janë rreth 21 mijë palestinezë të vrarë, dy të tretat gra dhe fëmijë sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Ky dikaster njoftoi se 240 vetë u vranë në 24 orët e fundit.

Si pasojë e sulmeve të Hamasit, në Izrael janë vrarë 1 mijë e 200 persona dhe u morën peng 240 të tjerë. Zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut njoftoi se bombardimet e vazhdueshme të Gazës kanë marrë jetën e më shumë se 100 palestinezëve që para Krishtlindjes.

Izraeli bëri të ditur se nuk do të lëshojë më viza automatike për punonjës të OKB-së duke i akuzuar ata si “partnerë bashkëfajtorë” në taktikat e grupit palestinez Hamas.

Zëdhënësi i qeverisë, Eylon Levy u shpreh se Izraeli do të shqyrtojë kërkesat për viza, rast pas rasti. Një gjë e tillë mund të kufizojë përpjekjet e ndihmës në Gaza.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51348 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE