Aeroportet e Tiranës dhe Kukësit, Eurocontrol ul tarifat për 2024!

vovalbania January 08, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Aeroportet e Tiranës dhe Kukësit, Eurocontrol ul tarifat për 2024!

Për të dytin vit radhazi, tarifat në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit dhe atë të Kukësit janë rishikuar në ulje. Eurocontrol, organizata që menaxhon trafikun ajror europian dhe faturon e mbledh tarifat (për llogari të Albcontrol-it) vendosi që për vitin 2024, për Aeroportin e Tiranës, tarifa të jetë 218.33 euro/avion nga 219.45 euro që ishte për vitin 2023.

Për Aeroportin e Kukësit, i kategorizuar si aeroport i Zonës 2, tarifa e miratuar nga Eurocontol për këtë vit është 109.16 euro nga 109.73 në vitin paraardhës.

Ka pësuar rritje interesi që paguhet për detyrimet që nuk shlyhen në kohe. Teksa për vitin 2023 ky interes ishte 9.9, për këtë vit ka një rritje të dukshme me 13.26 euro.

Shqipëria ka dy aeroporte funksionalë, ndërsa një i tretë po ndërtohet në Vlorë e parashikohet të përfundojë këtë vit dhe të nisë operimet në vitin 2025. Shqipëria përjetoi dy vitet e fundit një bum turistik ku vizitorët që vijnë nga ajri po zënë peshë gjithmonë e më të madhe. Vetëm në Aeroportin e Tiranës gjatë vitit 2023 iu është shërbyer 7.25 milion pasagjerëve. Deri në fund të dhjetorit, Shqipëria priti mbi 10 milion turistë.

Çfarë është tarifa e terminalit?

Në një shpjegim të zgjeruar të Eurocontrol-it, tarifat e terminalit janë fatura që dërgohen nga Eurocontol çdo muaj (në mes të muajit pasues) për fluturimet që u zhvilluan në muajin paraardhës bashkë me faturën e tarifës së itinerarit.

Dokumentet e faturimit tregojnë qartë shtetin për të cilin vilen këto para. Termat e pagesës për pjesën e tarifave të terminalit janë të njëjta me ato të itinerarit që aplikohen nga Eurocontrol-, që do të thotë 30 ditë nga data e faturimit.

Lidhur me mënyrën si llogariten këto tarifa, Eurocontrol-i sqaron se vendet anëtare përcaktojnë zonat e tarifimit për terminalet që mund të jetë një aerodrom apo disa aerodrome që lokalizohen në një vend të caktuar ku ofrohen shërbime për të cilën duhet të paguhet tarifë. Tarifat e terminalit vendosen vetëm për fluturimet që nisen dhe marrin parasysh dy elemente thelbësore.

Së pari, peshën e avionit që niset dhe së dyti, njësinë e tarifës për aerodromin nga ku bëhet nisja. Rezultati që merret pasi bëhet shumëzimi i dy elementëve është vlera që paguhet për terminalin. Faktori i peshës llogaritet në ton metrike./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE