Nis rritja e tarifave të ujit, e para Vlora!

vovalbania January 10, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Nis rritja e tarifave të ujit, e para Vlora!

Ndërsa vijon reforma e agregimit apo bashkimit të ujësjellësve duke krijuar ndërmarrje më të mëdha për të përmirësuar shërbimin dhe gjendjen e tyre financiare, duket se efekti i parë i saj do të jetë rritja e tarifave të ujit.

Kjo mund të mos vlejë për të gjithë kompanitë, por të paktën për aplikimin e parë, bërë nga Ujësjellësi i Vlorës dhe miratimin e dhënë nga Enti Rregullator i Ujit (ERRU), tarifat e reja janë në rritje.

Në një vendim të bërë publik në Fletoren Zyrtare, çmimi i ujit për familjarët që do të shërbehen nga ujësjellës-kanalizime Vlorë nga muaji shkurt do të jetë 33.3% më i lartë se aktualisht. ERRU ka miratuar një tarifë 60 lekë/m3 ujë për këtë kategori nga 45 lekë/m3 që është aktualisht. Për biznesin dhe klientët publikë që janë kryesisht institucionet, tarifat e reja do të jenë 20% më të larta. Me tarifat e vjetra, ato paguajnë 100 lek/m3 ndërkohë që me të miratuarat së fundmi, 120 lekë/m3. Këto tarifa janë gjithsesi më të ulëta se ato që kishte kërkuar ndërmarrja e Vlorës në aplikim.

Ndërkohë, shërbimi i largimit të ujërave të ndotura ka pësuar gjithashtu rritje. Tarifa e miratuar për familjarët për këtë rast është 17 lekë, me një rritje 13% në raport me tarifën e mëparshme. Për biznesin dhe konsumatorët publikë, tarifa e re është 28 lekë, me një rritje 12% nga ajo aktuale.

Rritje kanë pësuar edhe tarifat fikse mujore për shërbimin duke u dyfishuar për konsumatorët familjarë nga 100 në 200 lekë në muaj kurse për bizneset është rritur me më shumë se 2.5 herë.

Bashkë me tarifat, Enti ka miratuar edhe objektivat kryesorë që i janë vendosur ndërmarrjes sa i takon mbulimit me shërbim të furnizimit me ujë, mbulimit me shërbim të kanalizimeve, uji pa të ardhura, norma e arkëtimit apo mbulimi i kostove.

Ndërmarrja e Ujësjellësit të Vlorës bashkon tre ujësjellës, të Vlorës, Selenicës dhe Himarës, por që sipas statusit të publikuar në faqen e ERRU-së, ende nuk është bërë riorganizimi i plotë i shoqërisë. Përditësimi i fundit i kësaj faqeje është në korrik 2023. Vetëm Ujësjellësi Vlorë i shërben përafërsisht 166 045 banorëve të Bashkisë Vlorë. Aktualisht, ERRU-ja ka në shqyrtim edhe disa aplikime të tjera për ujësjellësit Durrës, Lezhë e Fier./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE