22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe festë zyrtare!

vovalbania January 11, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe festë zyrtare!

22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe do të jetë festë zyrtare e Shqipërisë. Kështu bëri me dije Ministri i Jashtëm Igli Hasani i cili tha se propozimi do t’i bëhet Kuvendit të Shqipërisë. Ministri Hasani deklaroi se 22 Nëntori ka simbolikë të veçantë dhe specifikon momentin më të madh unifikues të shqiptarëve.

“Këshilli i Ministrave sapo miratoi një vendim për një ndryshim për ligjin për festat kombëtare dhe ditët përkujtimore. Këshilli i Ministrave po i propozon Kuvendit të Shqipërisë shtimin e Ditës së Alfabetit si një nga festat tona kombëtare. Është një ditë me simbolikë të veçantë, 22 Nëntori përfaqëson momentin më të madh unifikues të shqiptarëve që janë shpërndarë pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit, janë të përfaqësuara në të gjitha fetë monoteiste, por ajo që i ka bashkuar dhe vazhdon t’i bashkojë është gjuha dhe fakti që në Kongresin e Manastirit zgjodhën të shkruajnë dhe të identifikohen në këtë gjuhë të bukur dhe të shenjtë me alfabetin latin”, u shpreh Hasani.

Iniciativa u mor edhe pas diskutimeve në samitin e diasporës. Kryeministri Edi Rama sugjeroi që 22 Nëntori, dita e Alfabetit të gjuhës shqipe të jetë një ditë e njohur si festë kombëtare edhe në Shqipëri. Në Kongresin e Manastirit 22 nëntori është shënuar Dita e Alfabetit Shqip, i zhvilluar mes datave 14 deri në 22 nëntor të vitit 1908.

Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe.

Në Manastir morën pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mid’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.

Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.

Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kjo ditë është festë kombëtare. Në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49630 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE