Dallëndyshe Bici nuk tërhiqet nga drejtimi i Kadastrës, refuzon mandatin e deputetes!

vovalbania January 11, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Dallëndyshe Bici nuk tërhiqet nga drejtimi i Kadastrës, refuzon mandatin e deputetes!

Dallëndyshe Bici refuzon mandatin e deputetes së PS-së, pas njoftimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për plotësimin e vakancës të krijuar nga Arben Ahmetaj. Në një letër drejtuar KQZ-së, Bici informon se nuk do të vijojë procedurat për marrjen e mandatit. Aktualisht, Dallëndyshe Bici është në krye të Kadastrës, arsye që e ka shtyrë të refuzojë mandatin.

Bici i ka kthyer përgjigje kryekomisionerit Ilirjan Celibashi duke e vënë në dijeni se është njoftuar lidhur me depozitimin e formularit të vetëdeklarimit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ju bëj me dije se nuk do të vijoj procedurat ligjore përkatëse për marrjen e mandatit të deputetit në Kuvendin e Shqipërisë, për shkak të angazhimit tim në detyrën funksionale që ushtroj aktualisht në institucionin qendror.

Dje Kuvendi i Shqipërisë informoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me mbarimin përpara afatit kushtetues të mandatit të deputetit socialist, Arben Ahmetaj. Kjo për shkak të mungesës së tij, pa arsye në parlament, për mbi 6 muaj rresht.  Në shkresë thuhet se 6 korriku 2023 shënon datën e fundit të pjesëmarrjes së Ahmetajt në seancë plenare. Kuvendi ka detyrimin ligjor për të njoftuar KQZ-në lidhur me krijimin e vakancës. Tashmë, mandati i Ahmetajt pritet t’i kalojë Plarent Ndrecës.

Për çështjen e inceneratorëve, ish-zv.kryeministri Ahmetaj dyshohet për korrupsion, pastrim parash e mosdeklarim apo fshehje pasurie. Më 20 korrik të vitit të kaluar, SPAK-u i dorëzoi policisë urdhërin për ekzekutimin e masës së arrestit me burg për Ahmetajn, i larguar nga Shqipëria që më 7 korrik, pak para se Prokuroria e Posaçme të firmoste kërkesën drejtuar parlamentit për arrestimin e tij dhe që u miratua në një seancë të jashtëzakonshme.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49407 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE