Amerika dhe Britania bashkojnë forcat e kryejnë sulme kundër rebelëve Huthi në Jemen!

vovalbania January 12, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Amerika dhe Britania bashkojnë forcat e kryejnë sulme kundër rebelëve Huthi në Jemen!

Forcat amerikane dhe britanike kanë kryer sulme ajrore dhe detare ndaj objektivave ushtarake të grupit rebel Huthi në Jemen si përgjigje ndaj goditjeve të tyre kundër anijeve tregtare amerikane dhe ndërkombëtare në Detin e Kuq. Lajmin e konfirmoi Komanda Qendrore e SHBA-ve (CENTCOM).

Sulmet e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe nisën mbrëmë vonë dhe u kryen me mbështetjen e Australisë, Kanadasë, Holandës e Bahreinit, siç njofton CENTCOM në një deklaratë në platformën X.

Ky aksion shumëkombësh synoi sistemet e radarëve, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe vendet e magazinimit e të lëshimit për të sulmuar sistemet ajrore pa pilot, raketat e lundrimit dhe raketat balistike.

Sulmet e rënda ajrore amerikane e britanike goditën objektivat në Jemenin e kontrolluar nga rebelët, pas disa javësh sulmesh ndaj anijeve të Detit të Kuq nga forcat Huthi, të mbështetura nga Republika Islamike.

Presidenti amerikan, Joe Biden vuri në dukje se këto sulme kishin për qëllim të tregonin se Amerika dhe aleatët e saj “nuk do të tolerojnë” sulmet e pandërprera të grupit militant në Detin e Kuq. Shefi i Shtëpisë së Bardhë u kujdes të theksonte se këtë veprim e ndërmorën vetëm pas përpjekjeve për negociata diplomatike e diskutime të kujdesshme. Në një deklaratë, presidenti Joe Biden u shpreh:

Këto sulme janë në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj sulmeve të paprecedentë të grupit Huthi kundër anijeve detare ndërkombëtare në Detin e Kuq duke përfshirë përdorimin e raketave balistike kundër anijeve, për herë të parë në histori.

Biden vuri në dukje se sulmet rrezikuan personelin amerikan, marinarët civilë e tregtinë dhe shtoi:

Unë nuk do të hezitoj të drejtoj masa të mëtejshme për të mbrojtur popullin tonë dhe rrjedhën e lirë të tregtisë ndërkombëtare sipas nevojës.

Huthit e Jemenit, të lidhur me Iranin, po luajnë një rol përshkallëzues në konfliktin në Lindjen e Mesme duke sulmuar anijet në Detin e Kuq, duke gjuajtur raketa e duke kryer sulme me dronë ndaj Izraelit, në një fushatë që ata thonë se “synon të mbështesë palestinezët në luftën në Gaza”.

Roli i rebelëve Huthi ka shtuar rreziqet rajonale të konfliktit, duke vënë në rrezik linjat detare përmes së cilave transportohet shumica e naftës së botës dhe ka rritur shqetësimet në mesin e shteteve në Detin e Kuq, teksa raketat dhe dronët e rebelëve Huthi fluturojnë drejt Izraelit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49461 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE