Maxhoranca: Ndryshimi i Rregullores krijon kushtet për normalitet në Kuvend/Presidenti Begaj dekreton Adea Pirdenin!

vovalbania January 15, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Maxhoranca: Ndryshimi i Rregullores krijon kushtet për normalitet në Kuvend/Presidenti Begaj dekreton Adea Pirdenin!

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi tha se në sesionin e ri parlamentar që nis sot, ndryshimi i Rregullores do të krijojë kushtet për zhvillimin normal të seancave. Duke e cilësuar sesionin e kaluar parlamentar si “atipik” dhe “kaotik” për shkak të bllokimit të seancave nga opozita përmes skemave të dhunës, Çuçi kërkoi nga deputetët socialistë që të jenë prezentë në sallën e Kuvendit për të votuar ndryshimet sot në orën 17.00.

Sot pritet që të miratohet jo vetëm rregullorja e re e Kuvendit, që parashikon përjashtimin e deputetëve nga punimet e seancës parlamentare deri në 60 ditë nëse pengojnë zhvillimin normal të saj, por do të votohen edhe dekretet e presidentit për ndryshimet në qeveri.

Çuçi kërkoi të mos cënohen kuorumi e votimet e ligjeve, si dhe apeloi për rritje te cilësisë së debateve ku fokusi kryesor do të jetë në axhendën europiane të vendit.

Për këtë sesion, sidomos dua edhe qasjen që grupi ynë duhet të ketë në lidhje me integrimin. Në kushtet kur kemi një axhendë europiane, tashmë, fokusi nuk është vetëm te qeveria, por edhe te institucionet e tjera kushtetuese. Si grup parlamentar, në këtë sesion ne duhet të jemi instrument llogaridhënës i institucioneve të pavarura. Të krijojmë një mekanizëm që institucionet e pavarura të kenë një fokus të veçantë lidhur me rekomandimet që jep BE-ja.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së,  Bledi Çuçi foli edhe për qëndrimet e opozitës, që paralajmëron sërish kaos e tentativa bllokimesh të seancave të Kuvendit, në emër të aksionit që vijon prej muajsh.

Keqardhje për qëndrimet e deritanishme të opozitës që ka paralajmëruar se do të vijojë me tentativat për të bllokuar jetën parlamentare.

Deputetët e opozitës mbështetës të Sali Berishës dhe Gazment Bardhit kanë theksuar vazhdimin në Kuvend të akteve të mosbindjes civile, nëse nuk iu merren parasysh kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.

Seanca do të hapet nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, ku pikë e parë e rendit të ditës është miratimi i dekreteve të presidentit për ndryshimet në kabinetin qeveritar, me shkarkimin e Elva Margaritit, si ministre e Kulturës dhe Ervin Metes si ministër i Financave dhe Ekonomisë dhe emërimin e këtij të fundit si ministër i Financave ndërsa Blendi Gonxhe si ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ligjvënësit lanë pas një sesion mes kaosit, flakadanëve dhe disa nismave ligjore që presin 84 vota. Peng i bashkimit të kartonëve janë amnistia penale, rritja e pagave për Kushtetuesen, zgjedhja e Avokatit të Popullit, si edhe Reforma Zgjedhore. Partia Socialiste i ka shtrirë dorën opozitës që të bashkojnë votat për amnistinë penale.

E ndërsa një ministri e ri do t’i shtohet kabinetit qeveritar, sot Presidenti i Republikës, Bajram Begaj  dekretoi Adea Pirdenin si ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsionin.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49545 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE