Jo vetëm në Gaza, sulme ajrore izraelite vdekjeprurëse edhe në Bregun Perëndimor!

vovalbania January 17, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Jo vetëm në Gaza, sulme ajrore izraelite vdekjeprurëse edhe në Bregun Perëndimor!

Ushtria izraelite njoftoi se ka vrarë një militant të lartë palestinez përmes një sulmi ajror në Bregun e pushtuar Perëndimor. Kjo ndodhi në kampin e refugjatëve Balata, në qytetin Nablus. Izraeli njoftoi:

Ahmed Abdullah Abu Shalal, përgjegjës për infrastrukturën dhe që kishte planifikuar disa sulme kundër izraelitëve në Jerusalem, rezulton mes katër të vrarëve gjatë sulmit të kryer mëngjesin e sotëm në kampin e refugjatëve Balata, në qytetin Nablus.

Gjysmëhëna e Kuqe palestineze tha se forcat izraelite nuk lejuan mjekët që të shkonin në vendin e ngjarjes. Përmes rrjeteve sociale, njoftoi edhe se të shtënat me armë zjarri iu drejtuan ekipeve të tyre.

Ushtria izraelite pretendoi se Abu Shalal dhe celula e tij planifikonin të kryenin një sulm dhe kishin marrë fonde e udhëzime nga “ burimet iraniane”. Por, ushtria nuk dha prova për të mbështetur këto pretendime.

Dhuna ka shpërthyer në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, që kur më 7 tetor të vitit të kaluar nisi lufta në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nga Bashkimi Europian. Më shumë se 350 palestinezë janë vrarë në tre muajt e fundit, sipas shifrave të ofruara nga Ministria palestineze e Shëndetësisë. Shumica e tyre humbën jetën gjatë kontrolleve izraelite, si dhe protestave të dhunshme.

Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore në Bregun Perëndimor, por vrasjet e shënjestruara janë kryesisht të rralla në këtë territor.

Në një tjetër zhvillim, një dërgesë me ilaçe për dhjetëra pengje që po mbahen nga Hamasi është nisur për në këtë territor, pasi Franca e Katari ndërmjetësuan marrëveshjen e parë mes Izraelit dhe grupit radikal që nga armëpushimi njëjavor, i cili përfundoi në nëntor. Sasia e medikamenteve po dërgohet përmes Egjiptit dhe do t’i dorëzohet Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, që më pas do t’ia dorëzojë Hamasit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49261 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE