21 ushtarë izraelitë u vranë nga një sulm në Rripin e Gazës!

vovalbania January 23, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
21 ushtarë izraelitë u vranë nga një sulm në Rripin e Gazës!

Ushtria izraelite bëri të ditur se 21 ushtarë të saj janë vrarë në Rripin e Gazës, duke e konsideruar këtë si sulmin më vdekjeprurës ndaj forcave të saj në luftën tremujore kundër Hamasit e që vijon prej 7 tetorit 2023. Siç dihet, Hamasi, grupi palestinez që udhëheq Gazën është shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

Një ditë më parë, rezervistët kanë qenë duke përgatitur mjete shpërthyese për të shkatërruar dy ndërtesa në qendër të Gazës kur një militant hodhi një granatë në tankun më të afërt, njoftoi zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.

Kjo aktivizoi mjetet shpërthyese, duke çuar në rrëzim të ndërtesave teksa ushtarët ishin brenda. Numri i madh i të vdekurve mund të shënojë moment të ri në thirrjet për Izraelin që të ndalojë ofensivën apo edhe t’i japë fund asaj.

Numri i madh i viktimave në radhët e ushtrisë ka rritur presionin ndaj qeverisë izraelite që t’i japë fund luftimeve. Kryeministri izraelit, Benjamin Nentanyahu është zotuar se do të çojë përpara ofensivën derisa Izraeli të shkatërrojë Hamasin e të lirohen 100 pengjet që po mbahen në Gaza.

Por, duhet theksuar se izraelitët janë të ndarë, në atë nëse mund të realizohen këto dy synime. Familjet e pengjeve dhe shumë mbështetës të tyre i kanë bërë thirrje Izraelit të arrijë marrëveshje armëpushimi, pasi koha po kalon.

Një ditë më parë, dhjetëra familjarë të pengjeve hynë në ndërtesën e Parlamentit izraelit, duke kërkuar marrëveshje për të mundësuar lirimin e të afërmve të tyre.

Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit më 7 tetor 2023, pak orë pasi grupi militant palestinez kreu sulme vdekjeprurëse në tokën e tij, duke i lënë rreth 1 mijë e 200 njerëz të vrarë, si dhe rrëmbeu mbi 240 pengje.

Disa prej tyre janë liruar ndërkohë. Si pasojë e ofensivës ushtarake të Izraelit në Gaza janë vrarë më shumë se 25 mijë palestinezë, referuar shifrave të autoriteteve shëndetësore palestineze.

Organizata e Kombeve të Bashkuara, si dhe agjenci ndërkombëtare për ndihmën, vlerësojnë se luftimet kanë shkaktuar katastrofë humanitare në Gaza, pasi çereku i këtij territori, me 2.3 milion banorë po përballet me uri.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50458 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE