Sekretari Blinken dëshmon përkrahjen amerikane ndaj Afrikës!

vovalbania January 24, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Sekretari Blinken dëshmon përkrahjen amerikane ndaj Afrikës!

Sekretari i Shtetit Antony Blinken po qëndron në Afrikë, në kuadër të një turneu që përfshin ndalesa në 4 vende afrikane, mes shqetësimeve për rritje të pasigurisë dhe zgjerimit të ndikimit rus, pas një sërë grushtesh shteti në Afrikën Perëndimore.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, zoti Blinken po qëndron sot në Nigeri, në ditën e dytë të bisedimeve në vendin me popullsinë dhe ekonominë më të madhe në Afrikën nën-Sahariane.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken u takua me presidentin nigerian Bola Tinubu të martën dhe vlerësoi udhëheqjen e tij, por tha se nuk është sekret se ka sfida që duhet të kapërcehen për të zhbllokuar potencialin e madh që ka vendi.

“Duhet luftuar korrupsioni, duke e bërë më të lehtë investimin nga kompanitë e huaja. E di që presidenti Tinubu është i përqëndruar në këto sfida dhe ne mirëpresim gjithashtu reformat e tij shumë të guximshme ekonomike për të unifikuar monedhën dhe subvencionet për karburantin”, tha zoti Blinken.

Sekretari Blinken tha se kishte diskutuar për grushtin e shtetit të korrikut nga junta ushtarake në Nigerin fqinj.

“Ne diskutuam gjithashtu sfidat ndaj demokracisë dhe sigurisë në Afrikën Perëndimore. Ne e vlerësojmë shumë udhëheqjen e Nigerisë në Komunitetin Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore ECOWAS, në kuadër të përjekjeve për rikthim të rendit kushtetues dhe demokracisë në Niger”, tha ai.

Para se të qëndronte në Nigeri, zoti Blinken vizitoi Bregun e Fildishtë, ku bisedoi me presidentin Alassane Ouattara mbi sfidat e sigurisë në rajon.

“Ne vlerësojmë, veçanërisht, udhëheqjen që ka treguar Bregu i Fildishtë në luftën kundër ekstremizmit dhe dhunës”, tha zoti Blinken.

Sekretari Blinken tha se ky është udhëtimi i tij i tretë në Nigeri në detyrën si diplomati më i lartë amerikan, duke përfshirë një vizitë virtuale gjatë ditëve të para të pandemisë COVID-19. Ekperti Terry McCulley i tha Zërit të Amerikës se angazhimi diplomatik i administratës Biden ndaj Afrikës është i jashtëzakonshëm.

“Kam punuar në Afrikë që nga 1985. Dhe në të vërtetë nuk kam parë kurrë kaq shumë vëmendje nga qeveria e Shteteve të Bashkuara ndaj kontinentit, gjë që mendoj se është një dëshmi shumë e madhe e angazhimit amerikan”, tha ai.

Turneu i zotit Blinken është përqendruar kryesisht në Afrikën Perëndimore, ku përpjekjet ushtarake, me vlerë të madhe financiare dhe të mbështetura nga ndërkombëtarët, kanë hasur vështirësi për të frenuar militantizmin xhihadist në rritje.

Rritja e pasigurisë ka nxitur disa grushte shteti.

Për fuqitë perëndimore, kjo shkaktoi gjithashtu frikën për zgjerim të ndikimit të Rusisë.

Për shembull, në Mali, junta ushtarake dëboi forcat franceze dhe solli në vend forcat e grupit mercenar rus Wagner.

Nigeri, një aleat kyç i Shteteve të Bashkuara, kundër ekstremistëve në rajonin e Sahelit, gjithashtu ka dëbuar trupat franceze dhe ka ndërprerë marrëveshjet e sigurisë me Bashkimin Evropian.

Javën e kaluar Rusia tha se kishte rënë dakord të zhvillonte bashkëpunimin në fushën ushtarake me Nigerin.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48702 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE