Sot Parlamenti i Maqedonisë së Veriut voton për qeverinë teknike të Xhaferit, detajet!

vovalbania January 28, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Sot Parlamenti i Maqedonisë së Veriut voton për qeverinë teknike të Xhaferit, detajet!

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut sot voton qeverinë teknike, që do të drejtohet nga ish-kryeparlamentari shqiptar, Talat Xhaferi. Në postin e kryeministrit, Xhaferi pason Dimitar Kovaçevskin, i cili dha dorëheqje bazuar në ligjin “Për Zgjedhje”. Aty përcaktohet se 100 ditë para votimeve, zgjidhet një qeveri teknike, me mandat për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen më 8 maj, së bashku me presidencialet.

Pjesë e qeverisë teknike do të jetë edhe partia maqedonase opozitare, VMRO-DPMNE, që pritet të drejtojë ministritë e Punëve të Brendshme dhe të Punës e Politikës Sociale. Në kabinetin teknik, kjo parti merr edhe tre zv.kryeministra, me kompetenca të veçanta.

Nuk ka ndryshime në të tjera poste ministrore. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Lidhja Social- Demokrate (LSDM) dhe Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojnë të udhëheqin ministritë që kanë nën drejtim.

Si kryeministër teknik, Xhaferi u caktua nga BDI-ja, që seancën e sotme plenare e ka cilësuar si “ditë historike”. Në një mesazh drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti u shpreh:

Të dielën, 28 janar zgjedhim kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Kjo ditë është historike sa për shqiptarët, aq dhe për maqedonasit, sepse po bëhemi shtet dhe shoqëri e barabartë dhe po tejkalojmë të gjitha paragjykimet. Bashkërisht po ndërmarrim përgjegjësinë për t’i prirë vendit jo njëri pas tjetrit, por krahë për krahë për një Maqedoni evropiane.

“Kryeministri shqiptar” ishte premtuar nga kryetari i BDI-së në zgjedhjet e vitit 2020, që u fituan nga Lidhja Social-Demokrate e për rrjedhojë kryeministër ishte zgjedhur Zoran Zaev, i cili drejtonte LSDM-në.

Por, në marrëveshjen për formimin e qeverisë në vitin 2020, Ahmeti dhe Zaev ranë dakord që në 100 ditët e fundit të mandatit, qeveria teknike të drejtohej nga një kuadër i propozuar nga BDI-ja.

Ndërkaq, VMRO-DPMNE/ja edhe pse do të jetë pjesë e qeverisë, pritet të tregohet e përmbajtur gjatë votimit. Nga kjo parti maqedonase thanë se nuk mund të votojnë Talatin Xhaferin për kryeministër, siç theksuan “për shkak të shkeljeve të shumta që ka bërë si kryetar i parlamentit”. Kryetari Hristijan Mickovski:

Nga fillimi e deri tani në fund si kryetar i Parlamentit ka bërë shumë veprime antikushtetuese e antiligjore, pavarësisht se të gjitha nismat e ngritura u rrëzuan në gjykatat dhe prokuroritë e kurdisura. Por, një ditë kur ato institucione të lirohen nga prangat politike do të ketë përgjegjësi për këdo që ka shkelur ligjet.

Kundër zgjedhjes së Talat Xhaferit është shprehur edhe opozita shqiptare, e grupuar në Lidhjen Europiane për Ndryshim. Xhaferin e akuzon për “shkelje të shumta” gjatë punës në cilësinë e kryeparlamentarit.

Talat Xhaferi është zgjedhja më e keqe që ka mund të ofrojë BDI-ja. Pas 20 vjetësh në qeveri, BDI-së në pozita të larta i kanë mbetur njerëzit më të korruptuar dhe njerëzit që më së shumti i kanë bërë dëm çështjes shqiptare. Kur ishte në krye të Kuvendit, [Xhaferi] ka udhëhequr vetëm politika të partisë së tij dhe jo ato në interes të qytetarëve.

Për qeverinë teknike duhet të votojnë gjysma e deputetëve apo 61 nga 120 sa numëron Parlamenti i Maqedonisë së Veriut. Edhe pa votat e VMRO-DPMNE/së, shumica aktuale ka numrin e nevojshëm për të miratuar qeverinë e re. Votimi duhet të kryhet brenda mesnatës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50259 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE