Borrell: Nuk u arrit objektivi për të dorëzuar 1 milion predha në Ukrainë!

vovalbania February 01, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Borrell:  Nuk u arrit objektivi për të dorëzuar 1 milion predha në Ukrainë!

Bashkimi Europian nuk do të arrijë objektivin për të dorëzuar 1 milion predha artilerie në Ukrainë brenda një viti. Këtë e tha sot kryediplomati Josep Borrell. Duke mbrojtur përpjekjet e BE-së si “punë në progres”, Borrell tha se dërgesat në Ukrainë do të përfshinin 524 mijë predha.

Kjo është vetëm 52% e objektivit. Objektivi i ri parashikon më shumë se 1 milion predha deri në fund të vitit 2024, ndërsa 630 mijë predha janë në prodhim e sipër.

Shtetet anëtare të BE-së u zotuan të furnizojnë Ukrainën me 1 milion predha 155 milimetra në mbrojtjen e saj kundër Rusisë deri në mars të vitit 2024, ndërsa kanë vazhduar përpjekjet gjatë gjithë vitit të kaluar për të përmbushur afatin kohor të dorëzimit.

Më 20 mars të vitit të kaluar, vendet anëtare të Bashkimit Europian i premtuan Ukrainës se do të siguronin 1 milion predha të reja artilerie brenda 12 muajve. Ato do të organizoheshin nga stoqet e vendeve të BE-së, por edhe përmes projekteve të reja të përbashkëta të prokurimit, me qëllim parandalimin e mungesave në Forcat e Armatosura të Ukrainës.

Megjithatë, angazhimet e reja nga BE-ja për ndihmën ushtarake për Kievin kanë ngecur muajt e fundit, pasi blloku po përpiqet të rrisë kapacitetet e prodhimit të armëve. Në muajin nëntor, gjatë një takimi të mëparshëm të kolegëve të Bllokut, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius u shpreh se Unioni do të humbiste objektivin.

Objektivi për të dorëzuar 1 milion predha artilerie në Ukrainë nuk do të arrihet.

Deklarata e Borrellit vjen pasi kancelari gjerman, Olaf Scholz iu bëri thirrje shteteve të tjera të Bashkimit Europian që të ofrojnë mbështetje më të madhe ushtarake për Ukrainën.

“Mbështetja ushtarake për Ukrainën nuk mund të varet vetëm nga Gjermania”, tha Scholz përpara një samiti  të BE-së për ndihmën për Ukrainën në luftën e saj të vazhdueshme kundër pushtimit të plotë rus.

Scholz shtoi edhe se Gjermania i ka dhënë Ukrainës më shumë ndihma se çdo vend tjetër pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës e po ashtu përbën gjysmën e ndihmës totale për Ukrainën nga Europa.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48804 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE