Blerja e naftës ruse, G7 paralajmëron shkelësit e rregullave!

vovalbania February 02, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Blerja e naftës ruse, G7 paralajmëron shkelësit e rregullave!

Koalicioni i vendeve që kanë vënë një kufi tavan për çmimin e naftës ruse lëshoi një paralajmërim duke dhënë detaje lidhur me mënyrat sesi tregtarët e shmangin mekanizmin në fjalë dhe mënyrën si njerëzit mund t’i raportojnë shkeljet. Kjo theksohet në faqen e internetit të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kujtojmë se në fund të vitit 2022, Amerika, vendet e tjera të G7-ës dhe Bashkimi Europian njoftuan vënien e çmimit tavan prej 60 dollarësh për fuçi lidhur me blerjen e naftës ruse dhe ky si reagim ndaj agresionit të Moskës mbi Kievin, në shkurt të atij viti. ​

Aktivitete të paligjshme mund të ndodhin në shumë entitete dhe sektorë të përfshirë në tregtinë e naftës ruse e të nënprodukteve të saj. Procese jo të forta e gjithashtu të pamjaftueshme të zbatimit të rregullave nga entitetet e përfshira mund që të çojnë në shkelje të kufirit të caktuar për naftën ruse.

Tetorin e vitit të kaluar, Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara filloi të vendosë sanksione ndaj cisternave që dyshoheshin se transportonin naftë të blerë mbi kufirin e çmimit të caktuar prej 60 dollarësh për fuçi. Që nga viti i kaluar janë vënë sanksione ndaj rreth 24 cisternave.

Rregullorja për naftën ruse i ndalon kompanitë perëndimore që të ofrojnë shërbime të tilla si siguracioni, transporti dhe financimet për naftën e shitur mbi kufirin e çmimit tavan. Vënia e kufirit të çmimit të naftës ruse synon që të zvogëlojë aftësitë e Rusisë për të financuar luftën në Ukrainë duke reduktuar të ardhurat e saj nga nafta e njëkohësisht të sigurojë furnizimet e duhura për tregjet globale të naftës.

Sanksionet perëndimore kanë bërë që pjesa më e madhe tregtisë së naftës ruse të zhvendoset nga klientët tradicionalë europianë drejt Indisë dhe Kinës. Kjo ka detyruar disa kompani transporti që të përdorin cisterna të vjetruara për të bërë kontrabandë, për të cilat Departamenti amerikan i Thesarit thotë se po i shkurtojnë të ardhurat ruse.

Paralajmërimi thotë se disa anëtarë të koalicionit, përfshirë Bashkimin Europian kanë prezantuar masa për të vëzhguar më nga afër shitjen e cisternave në vendet e treta e për të parandaluar përdorimin e tyre për transportimin e naftës ruse me çmim mbi kufirin e caktuar.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49833 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE