SHBA dhe BE i bënë kritika, Netanyahu: Sulmi tokësor në Rafah është i pashmangshëm!

vovalbania February 12, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
SHBA dhe BE i bënë kritika, Netanyahu: Sulmi tokësor në Rafah është i pashmangshëm!

Përkundër kritikave në rritje nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu po mbron planin e tij për të nisur një operacion ushtarak tokësor në Rafah, qytet në kufi me Egjiptin, ku aktualisht po gjejnë strehim mbi një milionë palestinezë, të cilët sipas Zërit të Amerikës thonë se nuk kanë ku të shkojnë tjetër.

Izraeli ndërmori sot një seri sulmesh në qytetin kufitar të Rafahut, ku po strehohen 1.4 milionë palestinezë që kanë ikur nga luftimet nga pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës gjatë katër muajve të luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit.

Presidenti amerikan Joe Biden e paralajmëroi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të mos ndërmarrë operacione ushtarake kundër Hamasit në Rafah pa një plan “të besueshëm dhe të zbatueshëm” për të mbrojtur civilët. Javën e kaluar zoti Biden i cilësoi sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës si “të tepruara.”

Një paralajmërim të ngjashëm bëri sot edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell.

“Shumë njerëz po thonë, përfshirë edhe Presidentin amerikan, se operacionet nuk janë proporcionale, janë të tepruara. Që numri i njerëzve që po vriten është i papërballueshëm. Mendoj se këtë fjali po e thonë gjithnjë e më shumë njerëz përreth botës, përfshirë në Shtete të Bashkuara, përkrahësi më i fuqishëm i Izraelit… Po e paralajmëroj Izraelin të mos vazhdojë në këtë mënyrë. Por pyetja ime është, përkundër fjalëve, çka mund të bëhet tjetër? Bashkimi Evropian mendon se numri i të vdekurve është shumë i lartë. A ka ndonjë mundësi ta ulin atë?,” thotë zoti Borrell.

Ai tha se bashkësia ndëkombëtare duhet t’i bëjë trysni Izraelit.

“Duhet të vazhdojmë t’i bëjmë trysni Izraelit, duhet të vazhdojmë të mbështesim ndihmat humanitare, që ata të mos ndërmarrin një ofensivë në një zonë me një popullsi të dendur, me 1.7 milionë njerëz të bllokuar, që nuk kanë se ku të ikin. Kur ka luftë, njerëzit ikin. Por njerëzit në Gazë nuk mund të ikin. Ata janë prapa dyerve të mbyllura. Po bombardohen pa mundësi për të ikur. Kjo është situata dhe shpresoj që tërë bota do ta vlerësojë,” shtoi ai.

Por përkundër këtyre kritikave, Kryministri izraelit Netanyahu, gjatë një interviste për kanalin amerikan “ABC” përkujtoi publikun botëror për sulmin terrorist të Hamasit që la 1,200 të vrarë dhe 240 pengje.

“U sulmuam, në një sulm të paprovokuar, një sulm vrastar më 7 tetor, sulmi më i rëndë ndaj hebrejve që prej Holokaustit. Dhe më lejoni t’iu them, mendoj se jemi kundërpërgjigjur duke ndjekur terroristët dhe duke u munduar të minimizojmë (dëmet) në popullatën civile, ku terroristët strehohen dhe e përdorin atë si mburojë të gjallë,” deklaroi ai.

Mbi 28,000 palestinezë, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, janë vrarë gjatë luftës, sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën të drejtuar nga Hamasi.

Kryeministri Netanyahu i mohoi shifrat, duke shtuar se ndonëse po përpilohet një plan për t’i ruajtur civilët, ushtria e tij do të realizojë operacionin tokësor në Rafah. Britania e Madhe, Egjipti dhe Arabia Saudite kanë shprehur shqetësim.

“Ata që na thonë që në asnjë rrethanë nuk duhet të hyjmë në Rafah, praktikisht po na thonë të humbasim luftën, të lejojmë Hamasin aty dhe Hamasi ka premtuar që do ta përsërisë masakrën e 7 tetorit,” shtoi ai.

Familje të tëra jetojnë në tenda në Rafah dhe thonë se nuk kanë ku të shkojnë.

“Po të ketë sërish zhvendosje, unë nuk do të lëvizë. Nga njëra anë kam kufirin me Egjiptin dhe në lindje kam qytetin Rafah. Nuk mund të lëvizë,” thotë palestinezja e zhvendosur, Laila Abu Mustafa.

Ndërkohë në Tel Aviv, protestuesit që kërkojnë lirimin e pengjeve që ende po mbahen nga Hamasi bllokuan gjatë fundjavës autostradën Ayalon.

“Jemi këtu sot për t’u thënë të gjithëve se jemi të ngopur me çfarë po ndodh. E dimë që njerëzit janë me ne, por jo qeveria, dhe është koha,” deklaroi familjari i një pengu, Efrat Machikwa.

Gjatë paraqitjes në kanalin “ABC”, zoti Netanyahu u pyet nëse e di se sa nga 132 pengjet e mbetura janë ende gjallë.

“Një numër i mjaftueshëm për të cilin ia vlen përpjekja që po bëjmë, Do të bëjmë çdo gjë që mundemi për t’i kthyer të gjithë ata që janë gjallë dhe gjithashtu trupat e të vdekurve,” tha ai.

Sipas vlerësimit të tij, trysnia ushtarake ndaj Hamasit ishte faktor kyç për të siguruar lirimin e 110 pengjeve dhe pohimin, siç tha ai, se “Fitorja është e afërt.”

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49342 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE