Nuk ndalen forcat izraelite, operacion në spitalin kryesor në jug të Gazës!

vovalbania February 15, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Nuk ndalen forcat izraelite, operacion në spitalin kryesor në jug të Gazës!

Forcat e Izraelit hynë në spitalin kryesor në jug të Gazës, disa orë pasi zjarri izraelit vrau një pacient dhe plagosi gjashtë të tjerë që gjendeshin brenda mjediseve spitalore. Ushtria njoftoi se ishte një operacion i kufizuar që synonte gjetjen e pengjeve të marra nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

Ndërhyrja ndodhi një ditë pasi ushtria izraelite tentoi të evakuonte mijëra persona të zhvendosur e që kanë gjetur strehim në spitalin “Nasser” në Khan Junis. Ky qytet jugor i Gazës, javët e fundit ka qenë objektiv kryesor i ofensivës izraelite kundër Hamasit.

Kishim informacione të besueshme se Hamasi po mbante pengje në spital dhe se brenda këtij objekti mund të ketë mbetje të pengjeve të vrarë.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari:

Forcat tona po kryejnë një operacion preçiz e të kufizuar. Nuk do të ketë evakuim me forcë të mjekëve apo pacientëve.

Izraeli e akuzon Hamasin se përdor spitalet dhe infrastrukturat e tjera civile për të mbrojtur luftëtarët e tij.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, Ashraf al-Qidra deklaroi:

Izraeli kreu një inkursion masiv me të shtëna që kanë plagosur shumë persona brenda këtij spitali. Ushtria izraelite urdhëroi mjekët që në një ndërtesë tjetër të zhvendosin të gjithë pacientët, por ky objekt nuk ka aparatura për t’i mjekuar. Shumë prej tyre nuk mund të evakuohen, siç janë pacientët me gjymtyrë të amputuara, që kanë djegie të shkallës së lartë apo janë në moshë të thyer.

Lufta në Gaza nisi pasi më 7 tetor, Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 persona, shumica civilë dhe rrëmbeu afro 250 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj me ofensivë tokësore dhe ajrore në Gaza e që deri tani ka lënë të vrarë mbi 28 mijë palestinezë.

Izraeli paralajmëroi se do ta zhvendosë ofensivën në qytezën Rafah që gjendet në kufi me Egjiptin dhe ku shumica e popullsisë së Gazës është zhvendosur për shkak të luftimeve në pjesën tjetër të këtij territori.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50458 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE