Balla i përgjigjet Bardhit: Cilido që ngre dorë mbi Policinë do të përballet me ligjin!

vovalbania February 23, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Balla i përgjigjet Bardhit: Cilido që ngre dorë mbi Policinë do të përballet me ligjin!

Nga Korça, ministri i Brendshëm, Taulant Balla iu përgjigj akuzave të “Rithemelimit”, lidhur me arrestimin e katër protestuesve gjatë protestës së zhvilluar të martën e 20 shkurtit para Kryeministrisë. Sipas Ballës, veprimet e Policisë janë koordinuar me Prokurorinë, teksa nënvizoi se kushdo që ngre dorë mbi Policinë do të përballet me parashikimet ligjore.

Në një prononcim për mediat gjatë një vizite në qytetin juglindor, Balla tha se është e drejtë e kujtdo për të denoncuar, por sipas tij, nuk mundet të ngrihet dorë mbi Policinë e Shtetit, e cila është në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë.

Eshtë në të drejtën e çdo qytetari të vendit të kallëzojë këdo dhe i takon institucioneve të drejtësisë që t’i shqyrtojnë ato me vëmendjen më të madhe. Por, besoj që biem të gjithë dakord që aktualisht në Shqipëri ka dy palë: një palë të rreshtuar kundër reformës në drejtësi dhe kundër drejtësisë së re dhe një palë tjetër që mendoj unë po bën gjithçka që reforma në drejtësi të shkojë përpara.

Mendoj se Policia e Shtetit, në rastin që ju i referoheni, ka bërë detyrën dhe vetëm detyrën. Unë e kam thënë, sa herë më është dhënë mundësia: Askush të mos guxojë të ngrejë dorë kundër Policisë së Shtetit!

Ligji është shumë i qartë dhe kushdo që do të tentojë të ngrejë dorë kundër Policisë së Shtetit do të përballet me parashikimet që ka ligji. Kështu që edhe në rastin në fjalë, besoj që kemi qenë të gjithë të qartë, ka pasur një qasje dhune ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dhe ndaj institucioneve të shtetit. Të gjitha vendimmarrjet që janë marrë nga Policia e Shtetit janë udhëhequr nga urdhrat e dhënë nga prokuroria.

Më herët gjatë ditës, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, mbështetës i “Rithemelimit”, Gazment Bardhi, tha se policia ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve dhe për këtë ka kallëzuar në prokurori dhe ankimuar tek Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore, veprimtarinë e uniformave blu. Komentet i bëri pasi Gjykata e Tiranës vendosi “Detyrim për paraqitje” ndaj katër protestuesve të akuzuar për shkatërrim prone, goditje për shkak të detyrës dhe përdorim të lëndëve piroteknike.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48861 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE