Mënyrat sesi mund të minimizohet shpërndarja e drogës në Shqipëri sipas gjyqtarit të lartë, z. Sandër Simoni!

vovalbania February 24, 2024 0 koment 12 Mund të lexoni në minuta.
Mënyrat sesi mund të minimizohet shpërndarja e drogës në Shqipëri sipas gjyqtarit të lartë, z. Sandër Simoni!

Episodi i pestë i podcast-it “Fol me Anila Hoxhën” trajton problemin e shpërndarjes së drogës, alarmin që përdorimi ka zbritur tek të miturit. Problemet me ligjin, mungesën e qendrave dhe të dhëna që dalin për herë të parë. Përfshin intervista me një përdorues, një gjyqtar të lartë, shefin e antidrogës dhe shefin e toksikologjisë.

Gjatë këtij investigimi ne konstatuam se për 4 vitet e fundit emrat e 10176 shtetasve të arrestuar me doza të vogla u dorëzuan për analiza toksikologjike pranë mjekësisë ligjore në Tiranë. Kjo e dhënë konfirmohet nga instituti gjatë këtij investigimi për Qendrën “FOL”. 85 përqind e rasteve kanë rezultuar pozitivë, pra përdorues. Problemi i parë për të minimizuar shpërndarjen e drogës vjen nga vakumi në ligj që po shfrytëzohet nga grupet kriminale, të cilat po angazhojnë përdorues për tu shitur drogë e për të futur në kurth viktimat e radhës.

Pjesë e shkëputur nga podcast-i “Fol me Anila Hoxhën”:

Sandër Simoni – Gjyqtar i lartë

Anila Hoxha: Kam nderin të kem të ftuar gjyqtarin e lartë z. Sandër Simoni. Mirëmbrëma dhe faleminderit shumë që pranuat ftesën në podcastin “Fol me Anila Hoxhën”. Ju i ndoqët intervistat mbi përdorues dhe statistikat, të gjitha shifrat e policisë dhe të prokurorisë shqiptare mbi këtë problem. Tani do të shqyrtojmë  për dëgjuesit dhe për ata që na ndjekin se cilat janë problemet reale që ndeshen në gjykata mbi përdoruesit apo edhe shpërndarësit e dozave të vogla?

Sandër Simoni: Faleminderit Anila. Ligji e ndëshkon shitjen, ofrimin për shitje, dhënien apo marrjen në çdo formë shpërndarjen, tregtimin, transportimin, dërgimin, dorëzimin  si dhe mbajtjen përvec rasteve të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla të substancave narkotike dhe psikotrope, si dhe të farërave të bimëve narkotike. Depenalizimi i lëndëve narkotike për përdorim vetjak dhe në doza të vogla në mungesë të një përcaktimi të qartë ligjor të masës për përdorim vetjak mund të sjellë si pasojë që shpërndarësit e lëndës narkotike, tregtarë të lëndës narkotike t”i shpëtojnë përgjegjësisë penale duke u sjellë si përdorues të saj. Kufiri i paqartë midis shpërndarjes së drogës dhe përdorimit personal, kultivimit në familje për përdorim personal, raportet sasiore dhe cilësore të lëndës narkotike të përdorur për konsum, mungesa e dallimit në legjislacion të llojit të drogërave apo substancave të përdorura, drogërave të forta apo të dobëta, janë disa çështje të diskutueshme në praktikën gjyqësore, të cilat po bëhen diskutim tashmë në Gjykatën e Lartë. Detyra e vështirë e gjyqtarit për t”i evidentuar çështje fakti nëse kemi të bëjmë me përdorues apo me tregtarë të lëndës narkotike dhe detyrimin për t’i verifikuar nëse rrethanat specifike janë simptomë e tregtimit të lëndës narkotike apo përdorimit të saj vjen nga fakti që legjislacioni ynë në përkufizimin e sasisë së vogël, ka një paqartësi. Përgjegjësimi i lëndës narkotike dhe mungesa e dallimit në mes të substancave narkotike si heroinë, kokainë, ekstazi, kanabis, atyre psikotrope si antidepresiv apo barna të tjerë të substancave të rrezikshme për jetën apo të sasisë së tyre, është një çështje që vështirëson punën e gjyqtarëve në trajtimin e çështjes. Pamundësia e imponimit të varura nga përdorimi i drogës nëpërmjet masave administrative terapautike shëndetësore për të luftuar varësinë nga droga për shkak të depenalizimit të përdorimit të lëndës narkotike është një çështje që lidhet me diskutime nëse duhet penalizuar apo jo përdorimi apo mund të ishin përdorur masa alternative dhe përjashtimi nga përgjegjësia penale në raste të veçanta. Rregullimi ligjor, ligji penal dhe i veçantë mbi lëndët narkotike si dhe praktika gjyqësore garantojnë dhe sigurojnë që shpërndarësit e lëndës narkotike ti shmangen përgjegjësisë penale duke u sjellë e trajtuar si përdorues të lëndës narkotike.

Anila Hoxha: Po flasim për depenalizimin e dozave të vogla?

Sandër Simoni: Të dozave të vogla.

Anila Hoxha: I referoheni një vendimi të Gjykatës së Lartë? Çfarë do të thotë dozë e vogël dhe çfarë falsifiteti shkakton ky depenalizimi për shpërndarësit, duke u fshehur mbas përdoruesit?

Sandër Simoni: Fillimisht sipas Kodit Penal të  vitit 1995 dënohej secila formë e përgatitjes së prodhimit, mbajtjes së lëndës narkotike dhe forma të tjera. Në vitin 2001 u bë një shtesë në nenin 283 të Kodit Penal. Ky ka qenë momenti ku ligji ka depenalizuar përdorimin e lëndës narkotike, por në raste të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla.

Anila Hoxha: Dhe nga 2001 nuk pati asnjë rregullim?

Sandër Simoni: Nuk ka patur ndryshim tjetër. Meqënëse në këtë rast, nga pikëpamja legjislative ligji ishte evaziv dhe lindte mundësi për trajtim të ndryshëm nga ana e gjyqtarëve apo nga ana e operatorëve të procedimit penal, në këtë rast Gjykata e Lartë  ndërhyri me një vendim unifikues në vitin 2008, me anë të të cilit arriti në konkluzionin se doza e vogël në kuptimin ligjor të saj konsiderohet jo ndarja fizike në raste të tilla, por sasia e lëndës apo substancës narkotike dhe psikotrope që ajo përmban si e tërë dhe që sipas ekspertëve vlerësohet si dozë e vogël.

Anila Hoxha:  Çfarë quhet një dozë e vogël?

Sandër Simoni: Pikërisht në lidhje me këtë…

Anila Hoxha: Në praktikë? Pra kapet një qytetar, një shtetas me një dozë të caktuar. Në reflektim të kësaj, çfarë konsiderohet? Do të duhet patjetër të bëhen akt ekspertizat dhe çfarë fenomeni sjell pikërisht ky përcaktim i dozës së vogël ?

Sandër Simoni: Në mungesë të përcaktimit ligjor dhe të reflektimit në një ligj të veçantë të asaj se ëfarë konsiderohet dozë e vogël për përdorim vetjak, do ishte në detyrim të organeve shëndetësore që të përcaktonin në bazë të kritereve juridiko-mjekësor se kush konsiderohej dozë e vogël. Kjo në fakt nuk është bërë që me futjen e kësaj norme në Kodin Penal. Për rrjedhojë Gjykata e Lartë për të mbushur këtë boshllëk ligjor që në fakt nuk është prerogativë e saj por është prerogativë e ligjvënësit, që të kemi një ligj penal të përcaktuar qartë, i cili nuk lejon mundësinë e trajtimeve të ndryshme nga ana e zbatuesve të tij. Gjykata e Lartë në përcaktimin e asaj se çfarë konsiderohet dozë e vogël, i thotë që përdoruesit e lëndës narkotike të cilin e mban atë për përdorim vetjak qoftë edhe në doza të vogla kur shpërndarja e saj është një nga format që parashikon neni 283/1 i Kodit Penal ka përgjegjësi penale sipas kësaj dispozite dhe për përcaktimin e dispozitës të dozës së vogël të lëndës narkotike dhe psikotrope për efekt të zbatimit të dispozitës të nenit 283 të Kodit Penal duhet të bëhet me ndihmën e specialistëve të fushës toksikolog të thirrur si ekspertë dhe rast pas rasti, jo vetëm sipas llojit të lëndës narkotike dhe psikotrope por edhe të cilësive fizike,  biologjike dhe shkallës së varësisë nga droga të personit konkret, mbajtës të lëndës narkotike dhe psikotrope.

Anila Hoxha: Zoti gjyqtar, ju jeni i mendimit që ka ardhur koha që të penalizohet edhe ai shtetas, i cili është përdorues droge apo si mund të frenohet pikërisht ky boshllëk që vazhdon të jetë aktual dhe që në fakt është rregulluar vetëm me një vendim të Gjykatës së Lartë të vitit 2008?

Sandër Simoni: Unë mendoj se ka dy zgjidhje . E para, është që në kuadër të ndryshimeve në Kodin Penal. Duke parë tendencën e gjithë legjislacioneve të tjera të së drejtës kontinentale që është përcaktimi dhe referimi sipas kriterit juridiko-mjekësor të sasisë dhe llojit të lëndës narkotike, e cila duhet të prezantohet në norma të caktuara rregullative dhe jo të lihet në mënyrë evazive në formulime të përgjithshme ligjore, siç janë këto  që përmendëm dhe komentuam ne më sipër. Një mundësi tjetër është penalizimi sërish i veprës penale të përdorimit të lëndës narkotike siç ka qenë më përpara, duke ndryshuar, duke përcaktuar masa dënimi të lehta që të lënë mundësi aplikimin e masave  alternative të pezullimit të ekzekutimit me burgim  dhe masave alternative siç janë ato për shembull të detyrimit për t’iu nënshtruar programit terepautike-mjekësore. Për shkak, sepse mungesa e penalizimit të përdorimit të lëndës narkotike nuk lejon mundësinë që përdoruesit e lëndës narkotike t’i nënshtrohen masave detyruese të cilët mund t’i pengojnë ato për të përdorur më tej lëndën narkotike. Duhet që në kuadër të këtyre ndryshimeve në Kodin Penal është e këshillueshme që të mos kemi të njëjtën parashikim në nen si të shitjes, prodhimit të substancës apo të përdorimit vetjak. Por, të vijohet me specifikimet e normave të veçanta duke bërë këtë rregullim që përcaktojnë sasinë maksimale të përdorimit të çdo lënde narkotike, duke bërë dispozitën më të plotë për të mos krijuar më tej probleme. Ky është prerogativë e ligjvënësit, por tashmë duhet bërë një analizë në qoftë se numri i përdoruesve i lëndëve narkotike është shtuar. Kjo përbën një rrezik për mjedisin social dhe kohezionin social të vendit tonë, aq më tepër që sot përdoruesit e lëndëve narkotike mund të jenë subjekte të veprave penale të tjera të shkaktuara nga gjendja psiko-fizike e tyre apo psiko-analitike e tyre që vjen nga përdorimi i lëndëve narkotike si përdorues të mjeteve, shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor apo kryerjes së veprave penale të tjera. Ka legjislacione që në fakt evidentojnë qartë që kur kryhen vepra penale për shkak të përdorimit të lëndëve narkotike në ushtrim të funksionit, apo në kryerjen të një shërbimi,  por është e lehtë nisur edhe nga statistikat e procedimeve penale apo nga analiza e çështjeve që ne kemi në kolegjin penal të Gjykatës së Lartë evidentohet qartë që numri i çështjeve të  personave të cilët hiqen si përdorues të lëndës narkotike dhe në fakt janë gjetur fajtorë për shpërndarjen dhe  tregtimin e lëndës narkotike është rritur jashtëzakonisht shumë vitet e fundit.

Anila Hoxha: A ka ndikuar ky vakum që pikërisht këta përdorues apo pseudo përdorues ta shfrytëzojnë vakumin ligjor dhe ndërkohë të vazhdojnë të tregtojnë drogë dhe të shpërndajnë drogë?

Sandër Simoni: Them që ka të bëjë me rritjen e fenomenit të kultivimit të lëndës  narkotike dhe të kalimit transit të lëndës narkotike të llojeve të tjera në Shqipëri. Unë më përpara siç ju e dini, kam patur eksperiencë e të punuarit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në Gjykatën e Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe e kam drejtuar këtë gjykatë dhe jam në dijeni të statistikave që kemi patur në kompetencë të këtij procedimi të posaçëm. Kemi patur vepra penale të trafikimit të lëndëve narkotike apo kultivimit në mënyrë të organizuar të saj. Këto kanë qenë pasojat. Mendoj që në këto vite është shtuar numri i përdoruesve të lëndës narkotike pasi një pjesë e personave që merren me trafikimin e  lëndës narkotike apo me shitjen apo tregtimin e lëndës narkotike, për rrjedhojë për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale janë edhe konsumatorë të saj. Por edhe qarkullimi  i sasive të lëndëve narkotike, qoftë për tranzitim apo qoftë si vend burimor sjell në mënyrë të paevitueshme konsumimin e saj kryesisht tek të rinjtë që është një fenomen negativ për shoqërinë tonë.

Anila Hoxha: Ne e dimë të gjithë që nuk ka statistika fikse sesa është numri real i përdoruesve. Do të duhej në fakt të ishte ngritur një database, që do të evidentonte të dhënat e atyre shtetasve të cilët kanë nevojë për tu trajtuar. Nga ana tjetër, pavarësisht referimeve të policive lokale me të rinjtë të cilët konstatohen me doza të papërfillme, në përfundim çështjet ose mosfillohen ose pushohen për shkak të përgjigjeve të caktuara që mjekësia ligjore kthen pas dhe dërgon pranë organit të akuzës, duke konfirmuar se i dyshuari është një përdorues dhe siç thatë ju një posedues i dozave të vogla dhe për pasojë ndaj tij nuk duhet që të ngrihet një akuzë penale për shpërndarje të drogës. Keni ju disa raste kultivuesish që mund të ishin edhe përdorues apo të rinj të cilët ishin përdorues dhe shantazhuan njëri-tjetrin ?

Sandër Simoni: Po, kemi patur në disa raste jo vetëm në vepra penale të shtrëngimit me dhunë për dhënie pasurie dhe ato të kultivimit, përdorin lëndë narkotike për shkak të faktit që janë  impulvuar për shkak të kalimit transit të lëndës narkotike jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Kemi patur viktima, gra, të reja, por edhe në moshën e miturisë të cilët kanë qenë të detyruar që të përdorin lëndën narkotike. Gjithashtu, në rastet e kultivimit të bimëve narkotike kemi patur persona të cilët kanë rezultuar të toksikuar për shkak të përdorimit dhe kontakteve me lëndën narkotike gjatë procesit të përpunimit, por edhe për persona të cilët kanë qenë të detyruar që ta konsumojnë lëndën narkotike pikërisht me këtë qëllim për t’i shpëtuar përgjegjësisë penale.

Anila Hoxha: Keni hasur ju, gjatë karrierës tuaj si gjyqtar apo edhe tanimë në Gjykatën e Lartë, individë të cilët janë përdorues në moshë të mitur dhe cila është mosha më e vogël që ju keni ndeshur në këto fashikuj gjyqësor, të përdorimit të drogërave dhe a mund të na thoni shumica e atyre njerëzve që janë dorëzuar si të akuzuar në gjykatë, çfarë lloj droge përdorin më shumë?

Sandër Simoni: Mosha e përdoruesve të lëndës narkotike është bërë si gjendje fakti në çështjet që kemi ne, në gjykim. Rezulton se është ulur drejt moshës së të rinjve, por përfshin edhe moshën e miturisë, si  kriter ligjor, atë që nga 17 vjeç deri në 21-24 vjeç, fatkeqësisht. Rezulton që numri më i madh i përdoruesve lidhet me përdorimin e lëndës narkotike, atë të karakterit voluminoz të vendit tonë që është kanabisi. Por, nga çështjet që kemi në gjykim rezulton që sigurisht heroina, kokaina apo ekstazia janë akoma lëndë narkotike të cilat në një masë kanë gjetur përdorim në ambientet shoqërore tonat.

Anila Hoxha: Cilat janë qytetet që prodhojnë më tepër të akuzuar apo përdorues?

Sandër Simoni: Por kryesisht qytetet e mëdha, normalisht kryeqyteti Tirana, rezulton që ka numrin më të madh të çështjeve, të cilat diskutohen. Në diskutim nëse janë përdorues apo shpërndarës të lëndëve narkotike.

Anila Hoxha: Dhe kultivimi ?

Sandër Simoni: Harta e kultivimit është e tillë që ka patur një shtrirje në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Tashmë, shpresojmë që ky fenomen është në zvogëlim nga vitet e fundit, por nga eksperienca e çështjeve që ne kemi në gjykim, ato që kanë qenë në gjykim  në Gjykatën e Krimeve të Rënda apo në Gjykatën e Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar deri kur e kishte në kompetencë kultivimin e lëndës narkotike apo krijimit të grupit të strukturuar kriminal apo ato që kemi sot na rezulton që kjo hartë shtrihet në disa pjesë të territorit të Republikës së Shqipërisë, por shpresojmë dhe duket qartë që të jetë në zvogëlim.

Anila Hoxha: Cilat kanë qenë vitet kur është shënuar më tepër bum për veprën e kultivimit të kanabisit apo edhe trafikut të kësaj droge nga Shqipëria me destinacion vendet e tjera ?

Sandër Simoni: Numri më i madh i çështjeve të ardhura në gjykatë është ai i viteve 2016-2017, ku numri i çështjeve të kultivimit të bimës narkotike në formën e grupit të strukturuar kriminal, por edhe të trafikimit të lëndës narkotike të kanabisit u rrit në një masë të madhe në statistikat zyrtare të cilët tashmë dihen. Ndërkohë që vitet e fundit pastaj ky fenomen ka qenë në rënie. Faleminderit ju, Anila.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49675 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE