Inaugurohet më 4 mars/Për herë të parë publikohen pamjet e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë!

vovalbania February 25, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Inaugurohet më 4 mars/Për herë të parë publikohen pamjet e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë!

Vetëm pak ditë para inaugurimit, po shkojnë drejt mbylljes punimet në bazën ajrore të Kuçovës, me qëllimin për ta kthyer atë në një bazë taktike të NATO-s. Nga kjo bazë ku për herë të parë publikohen foto me pamje të përgatitjeve dhe punimeve, Komandanti i Forcës Ajrore, Gjeneral brigade Ferdinand Dimo shpjegon hapat e ndjekur deri më tani.

Fillimisht, Dimo kujton se ka qenë vendimmarrja e shtetit shqiptar dhe e Aleancës Veri-Atlantike në vitin 2018 për ta kthyer në një bazë taktike të NATO-s e duke nisur nga data 4 mars e këtij viti, ajo do të jetë plotësisht efektive.

Në vitin 2021 u parashikuan të kryheshin investimet për rivitalizimin e instalimeve të bazës së Kuçovës. Tashmë, sot jemi në përfundim të zbatimit të tre projekteve të rëndësishme, siç janë sistemet e rrethimit e të sigurisë, po ashtu ai i mbrojtjes perimetrale të bazës. Nga NATO janë investuar afërsisht 50 milion euro dhe më shumë se 5 milion euro u dhanë nga qeveria shqiptare.

Gjeneral brigade Ferdinand Dimo sqaron funksionet që do të kryhen nga kjo bazë.

Jemi në përfundim të të gjitha punimeve që trupat e  Forcës Ajrore të stërviten në këtë bazë. Por jo vetëm kaq, trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të saj mund të akomodohen, të stërviten e të fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, që tashmë është një bazë ajrore taktike e NATO-s.

Po ashtu, vlerësohet se baza taktike e NATO-s në Kuçovë do të shërbejë pozitivisht edhe në zhvillimin ekonomik të të gjithë Qarkut të Beratit. Dimo shprehet:

Ndërtimi i bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë ka një impakt të jashtëzakonshëm zhvillimor në komunitet dhe në të gjithë hapësirën e qarkut të Beratit.

Baza Ajrore e Kuçovës do të inaugurohet më 4 mars 2024, sipas planit të parashikuar. Në ceremoninë e rastit pritet që të marrin pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49533 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE