Samiti i Tiranës për Ukrainën: Zelenskyy: Humbja e Putinit, siguria jonë!

vovalbania February 28, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Samiti i Tiranës për Ukrainën: Zelenskyy: Humbja e Putinit, siguria jonë!

Me fjalën e kryeministrit Edi Rama, rreth mesdite, në Pallatin e Kongreseve nisën punimet e samitit “Ukrainë-Europa Juglindore”, që ka sjellë në Tiranë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

Ndihem veçanërisht i përulur që t’i uroj mirëseardhjen e veçantë në Tiranë, presidentit të Ukrainës, mikut tim, Volodymyr Zelenskyy. Jemi thellësisht të nderuar që e bëtë këtë udhëtim në Tiranë mes përgjegjësisë të jashtëzakonshme të udhëheqjes jo vetëm të kombit tuaj, por gjithë botës demokratike në qëndresën ndaj luftës që në mënyrë brutale ka sfiduar botën tonë demokratike.

Kryeministri Rama theksoi se këtë luftë nuk e zgjodhi as Ukraina, as bota demokratike.

Kjo është një luftë që as Ukraina dhe as bashkësia jonë e kombeve me të njëjtin qëndrim nuk e zgjodhën, një katastrofë e ngjizur nga zgjedhja e vendimit vetëm e një njeriu, i drejtuar nga një ëndërr e vjetër e një të shkuare perandorake.

Prania juaj këtu është një kujtesë që ai (Vladimir Putin) nuk ia ka dalë dhe pavarësisht fuqisë së saj ushtarake e propagandës toksike, Rusia neoimperialiste nuk ia ka dalë të shtypë vullnetin e popullit ukrainas të jetojë në një atdhe të pavarur e demokratik.

Nga Tirana, Zelenskyy tha se Vladimir Putin, po përdor diktate nga e shkuara duke detyruar shtetet që të veprojnë siç do ai. Sipas tij, “Europa duhet të jetë hapësira ku çdo shtet përcakton fatin e vet”.

Në të kaluarën, ne kemi parë që ka patur njerëz që janë përpjekur të përcaktojnë fatin e kombeve të tjera. Kjo ka ndodhur në Ballkan, Europën Lindore dhe të tjera pjesë të Europës. Tani, edhe Putin dëshiron ta bëjë këtë. E gjithë armiqësia e tij, gjithçka që bën është për të detyruar kombet e tjera të bëjnë siç do ai. Prandaj është e rëndësishme për të gjitha shtetet tona që Putin, regjimi i tij, të humbasë sepse dështimet e tij janë siguria jonë.

Udhëheqësi ukrainas falënderoi shtetet e Europës Juglindore për ndihmën e ofruar për Ukrainën në luftë, por edhe integrimin europian. Më tej, vuri në dukje se të gjitha shtetet në rajon që ndajnë vlera europiane duhet të integrohen.

Bashkimi Europian dhe NATO i kanë ofruar Europës epokën më të gjatë e më të fortë të sigurisë, paqes e zhvillimit ekonomik dhe ne meritojmë, që në fund të jemi pjesë e komunitetit europian dhe euroatlantik.

Në samitin në Tiranë në Pallatin e Kongreseve, liderët po diskutojnë për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen e Kievit në luftën e tij kundër pushtimit rus. Samiti po mbahet me ftesë të kryeministrit Rama.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49822 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE