Tërmeti në Malin e Zi, sizmologu Ormëni: Nuk rrezikohemi, nuk ka vend për panik!

vovalbania March 14, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tërmeti në Malin e Zi, sizmologu Ormëni: Nuk rrezikohemi, nuk ka vend për panik!

Tërmeti i magnitudës 5.4 Rihter në Mal të Zi dhe që u ndje në Shqipëri e në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, sizmologu Rrapo Ormëni, thotë se nuk rrezikohemi dhe nuk ka vend për panik. Sipas tij, te ne, lëkundjet u ndjenë 3 deri 4 ballë. Ky tërmet u shoqërua me mbi 35 pasgoditje dhe cilësohet vetëm i ndjeshëm, jo i frikshëm.

Por nuk janë raportuar dëme nga tërmeti i magnitudës 5.4 Rihter që pas orës 04:00 të mëngjesit u ndje në Shkodër. Mësohet se epiqendra ishte në Nikshiq të Malit të Zi, në thellësi rreth 10 kilometra, jo shumë larg kufirit me Bosnjë-Hercegovinën.

Lëkundjen intensive e ndjenë edhe qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa sipas komenteve në faqen e internetit EMCS, tërmeti u ndje edhe në Kroaci.

Aktiviteti sizmik vazhdoi dhe në orën 04:30 të mëngjesit, Mali i Zi u godit nga një tjetër tërmet, por me magnitudë më të dobët se i pari, 3.1 i shkallës Rihter siç raportoi EMCS.

Pas tërmetit të parë të fortë të së enjtes në mëngjes, pasoi një seri prej rreth 30 lëkundjesh më të dobëta, u tha gazetarëve shefja e Departamentit të Sizmologjisë malazeze të Institutit Hidrometeorologjik, Milena Tomanoviç.

Siç do të shprehej zyrtarja malazeze, nuk ka raportime nga terreni nëse u shkaktuan dëme të mëdha materiale, por vijojnë verifikimet për të dhënë informacione më të sakta.

Gati saktësisht 45 vjet më parë, më 15 prill 1979, Mali i Zi u godit nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7 sipas shkallës Rihter.

Epiqendra e tij ka qenë në Detin Adriatik në zonën mes Ulqinit dhe Tivarit, rreth 15 kilometra nga bregdeti. Në atë kohë humbën jetën 101 persona në Malin e Zi, si dhe u godit rëndë vendi ynë pasi u raportuan 35 viktima në Shqipëri, ndërsa mbi 100 mijë vetë mbetën të pastrehë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48717 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE