Rritja e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, takim në Gjermani nën drejtimin e sekretarit Austin!

vovalbania March 19, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Rritja e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, takim në Gjermani nën drejtimin e sekretarit Austin!

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, po drejton takimin e aleatëve të Ukrainës në bazën ajrore amerikane Ramstein në Gjermani, për të diskutuar lidhur me mënyrat se si të rritet mbështetja ushtarake për Kievin. Kjo në kohën kur paketa e ndihmës në vlerë prej 60 miliardë dollarësh vazhdon që të jetë e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve për shkak të kundërshtimit të ligjvënësve republikanë.

Takimi i përmuajshëm i Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, i njohur edhe si Formati i Ramstein-it, përbëhet nga 50 shtete që mbështesin Ukrainën. Ky takim po mbahet në kohën e rritjes së shqetësimeve se forcat ukrainase po mbeten pa municion e armë të rënda moderne teksa po përballen me forcat ruse që po përparojnë në frontin lindor.

Ndërkaq, Austin po realizon të parën vizitë jashtë vendit që kur nisi të trajtohet për kancerin e prostatës. Pentagoni tha se gjatë takimit, zyrtari do të përsërisë qëndrimin se “Uashingtoni mbetet i përkushtuar ndaj Ukrainës”.

Edhe një herë, sekretari Austin ka ftuar ministrat e Mbrojtjes e zyrtarët e lartë ushtarakë nga e mbarë bota për të diskutuar lidhur me krizën në Ukrainë, si dhe për çështje të tjera të sigurisë me të cilat përballen aleatët dhe partnerët e SHBA-ve, siç tha më herët për Radion Evropa e Lirë, Zyra për Media e Forcave Ajrore amerikane në Europë.

Teksa paketa e ndihmës në vlerë prej 60 miliardë dollarësh vazhdon që të jetë e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve, më 12 mars, Amerika njoftoi për një paketë të ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 300 milion dollarësh. Kjo shumë është marrë nga Pentagoni.

Ndihma ushtarake europiane për Ukrainën është bërë kritike për trupat ukrainase që po përballen me përparësinë e armikut, si në numër të ushtarëve edhe në të municioneve të artilerisë që shpenzojnë në baza ditore në fushëbetejë.

Një ditë më parë, Këshilli Europian miratoi krijimin e Fondit për Ndihmë të Ukrainës dhe ndau 5 miliardë euro për të. Me këtë fond, sipas BE-së do të vazhdohet mbështetja e Ukrainës “për të mbrojtur veten nga lufta e agresionit rus”, duke premtuar se ndihma për Kievin do të zgjasë për aq kohë sa të ketë nevojë. Me këtë fond, BE-ja tha se do të blihen “pajisje vdekjeprurëse dhe jovdekjeprurëse ushtarake” e do të ofrohen trajnime.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49597 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE