Rusia i akuzon për terrorizëm katër të dyshuar për sulmin afër Moskës!

vovalbania March 25, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Rusia i akuzon për terrorizëm katër të dyshuar për sulmin afër Moskës!

Prokuroria ruse ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave që i akuzon për kryerjen e sulmit në një sallë koncertesh pranë Moskës dhe vrasjen e të paktën 137 vetëve, më 22 mars. Një gjykatë në kryeqytetin rus iu caktoi masën e paraburgimit me kohëzgjatje dy muaj, për terrorizëm. Po ashtu, gjykata zbuloi emrat e të dyshuarave si Murodali Rajabalizoda, Dalerjon Mirzoev, Muhammadsobir Faizov e Faridun Shamsiddin, si dhe tha se ata janë shtetas të Taxhikistanit.

Tre prej tyre, Mirzoev, Rajabalizoda, dhe Shamsidin, e pranuan fajësinë për të gjitha akuzat e ngritura.

Ndërkaq, Muhammadsobir Faizov doli dje para gjykatës, ku u dërgua me një karrocë dhe qëndroi ulur me sytë e mbyllur gjatë gjithë seancës, siç raportoi Associated Press. Ai kishte shumë plagë e mbikëqyrej nga mjekët edhe në sallë të gjyqit. Të dyshuarve iu ofruan përkthyes në sallën e gjyqit ku u shfaqën të përgjakur e me fytyra të enjtura.

Hetuesit përmendën nevojën për të ruajtur fshehtësinë e hetimeve dhe sigurinë e pjesëmarrësve e të afërmve kur kërkuan që seanca dëgjimore të mbahej me dyer të mbyllura. Në pjesën kur seanca u mbajt me dyer të hapura, u mësua se Mirzoev është i regjistruar në Novosibirsk, Rusi dhe se është 32 vjeç. Ai është i martuar e ka katër fëmijë.

Rahabalizoda tha se është 30 vjeç, i martuar dhe se ka një fëmijë. Katër të akuzuarit janë në mesin e 11 personave për të cilët autoritetet ruse thanë se i arrestuan në lidhje me sulmin e 22 marsit. E diela ishte ditë zie në gjithë Rusinë për nder të viktimave të këtij sulmi, në të cilin u plagosën më shumë se 180 vetë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e ka quajtur “të përgjakshëm, barbar dhe terrorist” sulmin gjatë një fjalimi të dy ditëve më parë kur nuk e përmendi Shtetin Islamik, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin. Ai pretendoi se Ukraina ishte e përfshirë, gjë që është mohuar kategorikisht nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Edhe zyrtarët amerikanë thanë dje se Ukraina nuk ka gisht në këtë masakër.

Shteti Islamik është përgjegjësi i vetëm për këtë sulm. Nuk ka pasur aspak përfshirje ukrainase në të, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 48802 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE