Ndryshimet e kornizës negociuese për Serbinë, BE-ja pa dakordësi!

vovalbania April 01, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Ndryshimet e kornizës negociuese për Serbinë, BE-ja pa dakordësi!

Kanë kaluar dy muaj që kur Komisioni Europian e Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së dorëzoi propozimin mbi ndryshimin e kushteve nga kapitulli 35, në procesin e negociatave të anëtarësimit me Serbinë. Por, në Këshillin e BE-së ende nuk është arritur konsensus për miratimin. Presidenca belge e BE-së, po bën përpjekje për tejkalimin e dallimeve, siç mëson Radio Evropa e Lirë.

Sipas të njëjtave burime, propozimi i parë i Komisionit Europian për këto ndryshime nuk ishte pranuar nga disa shtete. Më pas, disa vende anëtare kishin bërë propozimet e tyre e për to ishte diskutuar në grupet punese të Këshillit që merren me rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe me procesin e zgjerimit.

Burimet diplomatike në BE pohojnë se gjatë muajit prill, kjo çështje do të diskutohet nga ambasadorët e BE-së në COREPER, Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare në BE.

Qëllimi i ndryshimit të kësaj kornize është që zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, akord i arritur në shkurt të vitit 2023, të përfshihet në kapitullin 35 të negociatave të anëtarësimit, si kusht specifik për Serbinë.

Edhe normalizimi i raporteve me Kosovën për Serbinë është i përfshirë në këtë kapitull, por në të kërkohet përparim në procesin e normalizimit. Synohet që si kusht, tani të përmendet zbatimi i marrëveshjes.

Në takimin e fundit në dhjetor 2023, vendet anëtare kishin kërkuar nga Komisioni Europian që deri në fund të janarit 2024, të dorëzonte propozimin për ndryshimin e kornizës negociuese për Serbinë. Dy ditë pasi skadoi ky afat, në fillim të muajit shkurt, Komisioni Europian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së dorëzuan propozimin e tyre.

Sipas burimeve diplomatike në BE, vonesat në propozimin e Komisionit erdhën për shkak të përpjekjeve të eurokomisionerit për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, për të penguar këtë propozim. Sipas burimeve diplomatike, Hungaria, vendi nga i cili vjen Varhelyi, vazhdon të jetë ndër vendet anëtare që pengojnë miratimin e këtyre ndryshimeve në Këshillin e BE-së.

Kapitulli i 35-të i negociatave të anëtarësimit, i quajtur “Çështjet e tjera”, nuk ka të bëjë me ligjin e BE-së, por në këtë kapitull vendosen gjërat specifike që kërkon BE-ja apo ndonjë vend anëtar. Në rastin e Serbisë, përfshin edhe normalizimin e raporteve me Kosovën.

Ky kapitull u hap ndër të parët, që në dhjetor të vitit 2015, për të përcjellë përparimin drejt normalizimit të raporteve. Komisioni Europian e ka vlerësuar sjelljen e Serbisë në dialog si “konstruktive” dhe ka konstatuar se në këtë mënyrë, vendi përmbush kriteret për të avancuar në procesin e negociatave të anëtarësimit.

Por, në Raportin e Progresit nga vjeshta e vitit 2023 është konstatuar se në disa fusha, Serbia ka bërë hapa prapa, në respektimin e detyrimeve nga dialogu për normalizimin e raporteve me Kosovën.

Për mungesë të përparimit në zbatimin e detyrimeve, BE-ja e ka qortuar edhe Kosovën, madje duke i vendosur masa shtrënguese e që ende janë në fuqi.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 49679 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE