Basha tregon 4 prioritetet e PD dhe u bën thirrje shqiptarëve në Milano: Të bashkohemi përmes vlerave!

vovalbania April 28, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Basha tregon 4 prioritetet e PD dhe u bën thirrje shqiptarëve në Milano: Të bashkohemi përmes vlerave!

Lulzim Basha në një takim me emigrantët shqiptarë në Lomabrdi, paraqiti 4 prioritetet e Partisë Demokratike. Nga listat e hapura, vota e emigrantëve, votimi dhe numërimi elektronik, si edhe Shqipëria 1 zonë zgjedhore, tha Basha se janë 4 synimet e PD për Reformën Zgjedhore.

Nga Lombardia, Basha u bëri thirrje shqiptarëve që të bashkohen përmes vlerave, për të ndërtuar një alternativë për të mundur Ramën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Përkushtimi ynë është i plotë dhe i qartë. Së pari për listat e hapura, apo votën preferenciale. Do t’i mundësojmë edhe një herë qytetarëve tanë që të jenë ata, të jeni ju që vendosni kush ju përfaqëson në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo një grusht kryetarësh partish. Barazia e votës që vota e çdo shqiptari të peshojë njësoj. Votimi dhe numërimi elektronik si një parakusht edhe për një votë efektive të diasporës. Dhe së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, rikthimi i gjysmës së Shqipërisë, i gjysmës së shqiptarëve që janë jashtë Shqipërisë në një korpus vendimmarrës politik, duke u dhënë pa asnjë hezitim të drejtën Kushtetuese duke e bërë atë efektive përmes votës së diasporës.

Këto janë qëndrimet tona miq, por unë dua të jem i sinqertë me ju. Më pak se një vit që na ndajnë nga zgjedhjet, faktorët kryesor që e mbajnë peng Shqipërinë, nuk i kemi në krahun tonë në asnjë prej këtyre synimeve, e në veçanti nuk i kemi në krahun tonë sa i takon votës së diasporës. Ndaj thirrja ime është që të bashkohemi në këtë betejë, ka akoma kohë. Dhe ekuacioni është i qartë: nga njëra anë janë shumica dërrmuese e shqiptarëve, e vëllezërve dhe motrave tuaja, e familjarëve tuaj të cilët duan t’ju kenë ju zërin tuaj, votën tuaj në ngritjen e parlamentit të ardhshëm dhe qeverisë së ardhshme të Shqipërisë pranë.

Edhe nga këtu në Milano dua të përsëris të njëjtën thirrje, gjithsecili duhet të hedh të paktën një hap pas nga interesi personal, për interesat e Shqipërisë, për interesat e shqiptarëve, për interesat në këtë rast të demokratëve, po do të thoja të të gjithë shqiptarëve. Dhe në qoftë se bashkohemi përmes vlerave dhe jo egove personale, duke u bashkuar për të nesërmen dhe për të lënë pas të shkuarën me të mirat dhe të këqijat e veta, jam i bindur që një vit mjafton për të ndërtuar alternativën dhe për t’i dhënë çdo shqiptari arsyen për të shkuar për të ndëshkuar Edi Ramën me votë, e për të sjell një qeveri demokrate, europiane, pro perëndimore, për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, u shpreh Basha.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 50768 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE