Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, mbi 1.3 milion të punësuar në Shqipëri!

vovalbania May 01, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, mbi 1.3 milion të punësuar në Shqipëri!

Në Shqipëri ka mbi 1.3 milion të punësuar. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve shprehu falënderim të veçantë për kontributin e të gjithë të punësuarve në vendin tonë.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, një grup mësuesish zhvilluan një protestë para zyrave të ministrisë së Arsimit dhe Sportit në Tiranë, duke kërkuar paga më të mira e po ashtu, përmirësim të kushteve të punës. Me pankartën me mbishkrimin: “Nuk ka arsim cilësor pa mësues të mirëpaguar”, arsimtarët marshuan nga Muzeu Kombëtar në drejtim të Ministrisë së Arsimit.

Protesta u organizua nga Sindikata e Pavarur e Arsimit dhe Federata e Sindikatave të Arsimit të cilët zgjodhën 1 Majin, për të parashtruar kërkesat e tyre për dyfishim të pagave. Sipas tyre, kjo do të bëjë që profesioni i mësuesit të bëhet një profesion i kërkuar.

Duhet dyfishim i pagave që profesioni i mësuesit të bëhet profesion i kërkuar nga maturantët. Degët e mësuesisë në Elbasan, Gjirokastër, Shkodër, Korçë janë mbyllur fare. Në degët e Matematikës, Fizikës, Kimisë, Biologjisë është një numër i vogël i studentëve që është i pamjaftueshëm për të zëvendësuar mësuesit që dalin në pension. E ardhmja e mësimdhënësve lë shumë për të dëshiruar, tha një përfaqësues i arsimtarëve. Ata kërkuan rritje të buxhetit për arsimin, duke thënë se nuk mund të ketë kushte të mira pa një rritje të buxhetit.

Ne kemi kërkuar që kryeministri të mbajë premtimin që buxheti për arsimin të jetë sa 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo duhet zbatuar sa më shpejt që të jetë e mundur. Nuk mund të ketë infrastrukturë, nuk mund të ketë SMIP pa trajnuar mësuesit, nuk mund të ketë laboratorë pa rritur buxhetin. Nëse nuk do të jetë 5% e PBB-së, nuk mund që të ketë rritje pagash. Ne kërkojmë që profesioni i mësuesit të jetë i dëshiruar nga të rinjtë. Pa arsim cilësor nuk mund të ketë të ardhme ky vend, u shpreh një përfaqësues i Sindikatës.

Mësuesit ngritën shqetësimin edhe për mbulimin e transportit, ndërsa kërkojnë edhe shpërblim në fund të vitit shkollor. Sa i përket Shqipërisë ka raportime se për herë të parë, 1 Maji u shënua në 1905-ën kur 60 punëtorë organizuan një manifestim në Shkodër. U krijua edhe tradita e përkujtimit të solidaritetit të punonjësve, ndonëse greva e kërkesa për të drejtat e punëtorëve ka pasur edhe para 1905-ës në Shqipëri. Në periudhën e komunizmit, zhvilloheshin parada pasi 1 Maji u shndërrua në ditë feste.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51167 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE