Të plagosur nga sulmet ruse me dronë në Ukrainë!

vovalbania May 04, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Të plagosur nga sulmet ruse me dronë në Ukrainë!

Të plagosur nga sulmet me dronë që Rusia kreu gjatë natës në rajonin verilindor ukrainas të Harkivit e atë qendror të Dnipropetrovskit.

13 dronë të lëshuar nga Rusia u rrëzuan, por nga fragmentet e dronëve të rënë u plagosën qytetarë, u dëmtua infrastruktura kritike, si dhe ndërtesat tregtare e rezidenciale.

Guvernatori i Harkivit, Oleh Synyehubov, shkroi se një fëmijë 13 vjeç dhe një grua janë dërguar në spital për trajtim pas plagëve të marra gjatë sulmeve.

Ekipet emergjente shuan zjarrin në një ndërtesë të goditur nga fragmentet e dronëve të rrëzuar, por situata është nën kontroll.

Dy persona janë plagosur në rajonin e Dnipropetrovskit, sipas guvernatorit, Serhiy Lysak. Tre shtëpi u dëmtuan. Rusia ka intensifikuar sulmet e saj në rajonin e Harkivit, kryeqyteti i të cilit gjendet 30 kilometra nga kufiri rus. Trupat ukrainase rimorën pjesë të mëdha të territorit të këtij rajoni në vjeshtën e vitit 2022.

Harkivi është shënjestruar nga dronët dhe raketat ruse pothuajse çdo ditë për muaj të tërë, duke rritur frikën se Moska është duke planifikuar që të nisë një fushatë për ta rimarrë këtë territor.

Sot në një njoftim zyrtar, Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur se mbi Gadishullin e Krimesë, forcat e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar katër raketa me rreze të gjatë veprimi të prodhimit amerikan. Ndryshe, këto raketa njihen si pjesë e Sistemit të Raketave Taktike të Ushtrisë (ATACMS) e që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur të dërgojnë në Ukrainë, në javët e fundit. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk dha më shumë detaje lidhur me njoftimin.

Më herët gjatë javës, zyrtarët rusë thanë po ashtu se Ukraina ka sulmuar Kriemenë me raketa ATACMS. Kjo në një përpjekje për të mposhtur mbrojtjen ajrore ruse në gadishullin e aneksuar, por gjashtë prej tyre Rusia pretendoi se i rrëzoi. Muajin e kaluar, një zyrtar amerikan tha se në javët e fundit, Uashingtoni ka dërguar raketa me rreze të gjatë veprimi në territorin e Ukrainës.

Raketat ATACMS, me rreze veprimi prej 300 kilometrash, për herë të parë u përdorën mëngjesin e datës 17 prill, ditë kur u sulmua një bazë ajrore ruse në Krime e që gjendet rreth 165 kilometra nga vijat e frontit në Ukrainë, siç njoftoi zyrtari.

Duket theksuar se fillimisht Pentagoni kishte kundërshtuar dislokimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, për shkak të shqetësimit se këto armë do të merreshin nga stoqet amerikane e do të dëmtonin gatishmërinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Po ashtu ka pasur shqetësime se Ukraina do t’i përdorte këto raketa për të sulmuar objektiva, thellë në territorin brenda Rusisë, gjë që do të mund të çonte në përshkallëzimin e luftës drejt një konfrontimi mes Rusisë e SHBA-ve. Siç dihet, në vitin 2014, Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme Krimenë nga Ukraina. Flota e saj e Detit të Zi është e stacionuar në këtë gadishull.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51371 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE