Organizata e Bashkëpunimit Islamik mbështet rezolutën për Srebrenicën!

vovalbania May 06, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Organizata e Bashkëpunimit Islamik mbështet rezolutën për Srebrenicën!

Vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik mbështetën rezolutën e propozuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për të shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, në Bosnjë-Hercegovinë.

Deklarata, e cila shpreh mbështetje për miratimin e rezolutës u dërgua në takimin dyditor të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, i cili përfundoi një ditë më parë në kryeqytetin e Gambias, Banjul.

Për miratimin e këtij dokumenti votuan gjithsej 57 vende anëtare të organizatës, në të cilën Bosnjë-Hercegovina ka statusin e vëzhgueses. Organizata e Bashkëpunimit Islamik është edhe më e madhja pas Kombeve të Bashkuara. Siç dihet, anëtarët e saj përfshijnë vende nga katër kontinente.

Propozimi përfundimtar lidhur me rezolutën për Srebrenicën iu dërgua presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Dennis Francis e të gjitha misioneve të përhershme në OKB. Kjo u njoftua katër ditë më parë nga ambasadori i Bosnjës në OKB, Zllatko Llagumxhija.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara caktoi një debat mbi Bosnjë-Hercegovinën për në datën 15 maj, por nuk u bë e ditur se cila do të jetë tema konkrete dhe as se kush do ta mbajë seancën.

Drafti përfundimtar i rezolutës, të cilin ka mundur që ta shohë më parë Radio Evropa e Lirë, thekson vendimin e OKB-së për ta shpallur 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, ditë e cila do të shënohet çdo vit.

Në Srebrenicë, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë, në korrik të vitit 1995, në atë që njihet si masakra më e rëndë në Europë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e karakterizoi këtë krim si gjenocid në vitin 2007. Më shumë se 50 persona u dënuan lidhur me të nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe po ashtu nga gjykatat vendase, me rreth 700 vjet burg apo heqje lirie në total.

Me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë e për të tjera krime të kryera në Bosnjë-Hercegovinë, po ashtu u dënuan komandanti i ushtrisë së Republikës Sërpska në kohën e luftës, Ratko Mlladiç, si dhe udhëheqësi i atëhershëm i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51395 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE