Putin nesër merr mandatin e ri presidencial/Çfarë do të bëjë me të?

vovalbania May 06, 2024 0 koment 5 Mund të lexoni në minuta.
Putin nesër merr mandatin e ri presidencial/Çfarë do të bëjë me të?

Associated Press

Vetëm disa muaj para se të shënojë një çerek shekulli si udhëheqës i Rusisë, nesër Vladimir Putin do të vendosë dorën mbi një kopje të Kushtetutës që të nisë një tjetër mandat gjashtëvjeçar si president me fuqi të jashtëzakonshme.

Që kur u bë president në detyrë në ditën e fundit të vitit 1999, Putin shtypi opozitën politike duke dëbuar nga shteti gazetarët e pavarur e duke promovuar një përkushtim në rritje ndaj “vlerave tradicionale” që shumë pjesëtarë të shoqërisë i shtyjnë në limite.

Ndikimi i tij është aq dominues, sa zyrtarët e tjerë qëndruan jashtë vendimmarrjes kur ai vendosi të niste luftën me Ukrainën, pavarësisht pritshmërive se pushtimi i shtetit fqinj do të sillte përbuzje ndërkombëtare e sanksione të ashpra ekonomike e që Rusia do të paguante çmim të lartë me gjakun e ushtarëve të saj.

Me këtë nivel pushteti, çfarë do të bëjë Putini me mandatin e tij të ri është pyetja më e rëndësishme që bëhet brenda Rusisë dhe jashtë saj. Lufta në Ukrainë është shqetësimi kryesor dhe presidenti nuk po shfaq asnjë shenjë se do të ketë ndryshim drejtimi.

Lufta në Ukrainë është në qendër të projektit aktual politik të tij dhe nuk shoh asgjë që sugjeron se do të ndryshojë. Kjo ndikon te të gjitha gjërat e tjera, tha për Associated Press, Brian Taylor, profesor në Universitetin Syracuse dhe autor i librit “Kodi i Putinizmit”. Ndikon se kush është në një pozicion, ndikon në burimet e disponueshme e ndikon në ekonomi, si dhe në nivelin e represionit brenda shtetit.

Gjatë fjalimit drejtuar kombit të mbajtur në shkurt, Putin u zotua se do të përmbushë synimet e Moskës në Ukrainë e se do të bëjë gjithçka që është e nevojshme “për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e qytetarëve të Rusisë”. Ai pretendoi se ushtria ruse “ka fituar përvojë të madhe luftarake, ka nismën, si dhe po kryen ofensiva në një numër sektorësh”.

Por, lufta ka çmim të lartë dhe paratë që i dedikohen mund të shpenzoheshin për projekte të tjera brenda shtetit e në reformat në arsim, mirëqenie e luftë kundër varfërisë, tema që Putini i përdori si pjesë të fjalimit të tij prej dy orësh dhe këto probleme i shtjelloi në detaje.  Taylor mendon se të tilla projekte u përfshinë në fjalimin e Putinit vetëm sa për “show” dhe ato nuk pritet të zbatohen.

Putin e mendon veten në terma të mëdhenj historikë të tokave ruse, duke e rikthyer Ukrainën aty ku e ka vendin, pra ka këto lloj idesh. Dhe unë mendoj se këto ide janë përtej programeve të tipit socio-ekonomik.

Nëse lufta do të përfundonte me humbjen e plotë nga cilado palë, me Rusinë që do të mund të ruante një pjesë të territorit që ka pushtuar tashmë, vendet europiane kanë frikë se Putini mund të inkurajohet drejt aventurizmit të mëtejshëm ushtarak në Baltik apo Poloni.

Ka mundësi që Putini ka ambicie të mëdha dhe do të përpiqet që të ndjekë suksesin e kushtueshëm në Ukrainë, duke kryer një sulm të ri diku tjetër, shkroi në revistën Foreign Policy, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit, Spehen Walt.

Por, po ashtu është plotësisht e mundshme që ambiciet e tij të mos shtrihen përtej asaj që Rusia ka fituar me një kosto të jashtëzakonshme dhe ai nuk ka nevojë apo dëshirë të rrezikojë më shumë. Rusia nuk do të jetë në gjendje që të nisë luftëra të reja të agresionit kur më të fund të përfundojë lufta në Ukrainë.

Një shqetësim i tillë duket racional, por të tjerët thonë se nuk mund të qëndrojë. Maksim Samorukov nga Qendra Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë, tha se “e shtyrë nga tekat dhe mania e Putinit, Moska ka të ngjarë të kryejë veprime vetëshkatërruese”.

Në një koment për Foreign Affairs, Samorukov sugjeroi se mosha e Putinit mund të ndikojë në gjykimin e tij.

Në moshën 71-vjeçare… ndërgjegjësimi për vdekshmërinë e tij, me siguri që i ndikon në vendimmarrje. Një ndjenjë në rritje për kohën e kufizuar, pa dyshim që kontribuoi në vendimin e tij fatal për ta pushtuar Ukrainën.

Në përgjithësi, Putini mund të futet në mandatin e tij me një kontroll më të dobët ndaj pushtetit nga sa duket që e ka. Dobësitë e Rusisë fshihen para syve. Tani më shumë se kurrë, Kremlini merr vendime në një mënyrë të personalizuar e arbitrare.

Elita politike ruse është bërë më e durueshme në zbatimin e urdhrave të Putinit dhe është bërë më e bindur ndaj pikëpamjes së tij paranojake. Regjimi është në rrezik të përhershëm që të rrënohet brenda natës, siç bëri paraardhësi i tij sovjetik tri dekada më parë.

Sigurisht që Putin do të vazhdojë armiqësinë e tij ndaj Perëndimit, për të cilin, gjatë fjalimit drejtuar kombit tha se “dëshiron t’i bëjë Rusisë të njëjtën gjë që iu ka bërë shumë rajoneve të tjera të botës, përfshirë Ukrainës: të përçajë vendin tonë, ta dobësojë nga brenda”.

Rezistenca e Putinit ndaj Perëndimit manifestohet jo vetëm me zemërimin për mbështetjen që Perëndimi i jep Ukrainës, por edhe për atë që udhëheqësi rus e sheh si minim të moralit të Rusisë.

Vitin e kaluar, Rusia ndaloi një “lëvizje” kombëtare LGBTQ+, duke deklaruar se kjo lëvizje ishte ekstremiste. Zyrtarët thanë se me ndalimin e “lëvizjes” ata po luftonin për vlerat tradicionale, si ato që përkrahen nga Kisha Ortodokse Ruse përballë ndikimit perëndimor. Gjykatat ruse po ashtu ndaluan ndryshimin e gjinisë.

“Pres që roli i Kishës Ortodokse Ruse të vazhdojë të jetë shumë i dukshëm”, tha Taylor. Po ashtu, ai kujtoi zemërimin që u shkaktua pasi në një festë të organizuar nga prezantuesja televizive, Anastasia Ivleeva, të ftuarve u ishte kërkuar që të shkonin “pothuajse të zhveshur”.

Aktorët e tjerë në sistem e kuptojnë se këto gjëra rezonojnë me Putinin… Ka njerëz që janë të interesuar që t’i shfrytëzojnë këto gjëra.

Edhe pse opozita dhe mediat e pavarura pothuajse janë zhdukur plotësisht për shkak të masave shtypëse gjatë sundimit të Putinit, ende ka mundësi për lëvizje të mëtejme për të kontrolluar hapësirën e informacionit të Rusisë, përfshirë shtyrjen përpara të përpjekjeve të shtetit rus për të krijuar një “internet sovran”.

Inaugurimi i Putinit si president do të ndodhë dy ditë para Ditës së Fitores, festës më të rëndësishme laike në Rusi, që përkujton pushtimin e Berlinit nga Ushtria e Kuqe sovjetike në Luftën e Dytë Botërore dhe vështirësitë e jashtëzakonshme të luftës, në të cilën Bashkimi Sovjetik humbi rreth 20 milion njerëz.

Mposhtja e Gjermanisë Naziste është pjesë integrale e identitetit modern të Rusisë dhe e justifikimit të Putinit për luftën në Ukrainë, duke thënë se dy ngjarjet ishin të ngjashme./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51377 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE