Mbyllen votimet për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut, ja sa ishte pjesëmarrja!

vovalbania May 08, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Mbyllen votimet për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut, ja sa ishte pjesëmarrja!

Janë mbyllur votimet për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Sipas të dhënave, deri në orën 18:00 pjesëmarrja për zgjedhjet presidenciale ishte 46.34%, ndërsa për zgjedhjet parlamentare pati pak më shumë pjesëmarrje, me 53.43 %. Deri rreth orës 17:00, në zgjedhjet presidenciale pjesëmarrje më të madhe kishte në Novac me 66,47%, ndërsa më të vogël në komunën e Likovës me 6,48%.

Rezultatet do të jenë vendimtare për të kuptuar nëse vendi do të vazhdojë t’i përmbahet kursit drejt BE-së.

Zgjedhjet presidenciale në raundin e parë më 24 prill shënuan një fitore të qartë të nacional-konservatorëve, partisë në opozitë VMRO-DPMNE në Maqedoninë e Veriut.

Në garë janë dy kandidatë, fituesja e rundit të parë, Gordana Silanovska-Davkova që fitoi 363.000 vota dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski, me 180 mijë vota.

Për zgjedhjet presidenciale janë regjistruar rreth 1.814.317 votues, ndërsa për zgjedhjet parlamentare ky numër është rreth 1.815.350 votues.

Që zgjedhjet presidenciale të jenë të suksesshme, përveç se njëri nga dy kandidatët duhet t’i fitojë shumicën e votave të qytetarëve, kërkohet edhe që dalja në zgjedhje të jetë së paku 40 për qind e qytetarëve të regjistruar në Listën Zgjedhore, ose rreth 725.000 votues.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) njoftoi se sot qytetarët do të mund të hyjnë në vendvotim vetëm një herë dhe do t’u ofrohet mundësia të votojnë për president dhe deputetë ose vetëm për njërën nga dy zgjedhjet e mundshme.

“Votuesi merr dy fletë votimi nëse vendos të votojë për të dyja llojet e zgjedhjeve ose vetëm një fletë votimi për zgjedhjet për të cilat vendos të votojë”, theksuan nga KSHZ.

Zgjedhjet do vëzhgohen nga 2000 vëzhgues, nga të cilët 1078 janë vendas dhe 770 vëzhgues të huaj. Zgjedhjet do të ndiqen nga 66 gazetarë të huaj.

Misioni i OSBE/ODIHR ka akredituar 410 vëzhgues dhe 14 ekspertë. Zgjedhjet do të monitorohen nga 138 vëzhgues nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, komisioni ad hoc i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës me 33 vëzhgues, si dhe 68 vëzhgues nga Ambasada Amerikane në Shkup.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51529 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE