Dita e Evropës, Gonzato: Sinjale të qarta nga Brukseli të një tjetër momenti të zgjerimit!

vovalbania May 09, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Dita e Evropës, Gonzato: Sinjale të qarta nga Brukseli të një tjetër momenti të zgjerimit!

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u shpreh sot se Evropa do të jetë më e plotë vetëm me integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në kuadër të Ditës së Evropës, dikasteri që drejton, sot organizoi panelin “Evropa në shtëpi”, me pjesëmarrjen edhe të ambasadorit të delegacionit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, kryenegociatores Majlinda Dhuka, etj.

Kryediplomati Hasani u shpreh se “përtej dallimeve dhe kufijve gjeografikë, ekziston një interes i përbashkët”, ndërsa theksoi se “lufta në Ukrainë është një tjetër makth apokaliptik që i kanoset Evropës”.

Agresioni putinian synon të shtrihet përtej kufijve të Ukrainës. Armiku i tij nuk është vetëm një vend, por një sistem që mishërohet sot nga BE-ja. Ky konflikt mes demokracisë dhe diktaturës, përforcon besimin tonë në BE. Mbetet thelbësor përshpejtimi i procesit të integrimit, pasi vetëm kështu Evropa do të jetë më e plotë dhe më e sigurt. Slogani: “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”, sot është teza parësore e politikës tonë të jashtme. Integrimi evropian mbetet detyrim i madh moral i yni ndaj brezave të rinj.

Duke folur për zgjedhjet parlamentare të BE-së, Hasani theksoi se “është e rëndësishme që përshpejtimi i procesit të mbetet në fokus të axhendës”.

Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh se “Bashkimi Evropian ka dhënë sinjale të qarta se duhet të përfundojë procesin e integrimit me vendet e rajonit”. I pranishëm në aktivitetin e organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në kuadër të Ditës së Europës, Gonzato tha se BE-ja e ka kuptuar tashmë që duhet të përfundojë procesin e integrimit.

Por, sipas tij “të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të çojnë para reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian”.

Nga Brukseli ka sinjale të qarta se jemi në një moment tjetër të procesit të zgjerimit. E kemi kuptuar që duhet ta plotësojmë procesin e integrimit, ta përfundojmë atë. Po integrojmë një pjesë të rëndësishme të Evropës në këtë projekt fantastik. Sinjalet janë të qarta. Kemi çeljen e negociatave për anëtarësim jo vetëm me Shqipërinë, me Bosnjë-Hercegovinën, me Maqedoninë e Veriut dhe shpejtësinë me të cilat shtetet anëtare e PE-ja kanë rënë dakord për Planin e Rritjes, por edhe për reforma që janë kyçe për të ndërtuar këtë lloj shoqërie që kërkojmë.

Duke folur për Planin e Rritjes, Gonzato u shpreh se “ideja është integrimi i vendeve me njëri-tjetrin”.

Të gjitha gjërat duket sikur janë të drejtuara drejt biznesit, por nuk mund të jetë kështu pa trajtuar ndasitë në rajon.

Duke folur për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, ambasadori u shpreh se “që tani rruga është e hapur”.

Procesi analitik i legjislacionit është kryer dhe Shqipëria e vetë BE-ja kanë arritur të kuptojnë ku janë boshllëqet.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 51522 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE