Dëbimi i shqiptarëve, Anglia siguron avion të posaçëm!
Çdo javë, një avion sjell nga Anglia shqiptarë të cilët ndodheshin atje ilegalisht dhe kanë përfunduar dënimet e dhëna. Top Channel ka siguruar pamje që tregojnë momentin kur javën e kaluar, 11 shqiptarë mbërritën në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit.
Nga Aeroporti Stansted i Londrës, ata janë shoqëruar me 20 roje sigurie të Departamentit të Dëbimeve të Emigrantëve të Paligjshëm, në Ministrinë e Brendshme, Home Office.
Gazeta Daily Mail ka ndjekur këtë operacion dëbimi dhe publikoi fotot e disa prej 11 shqiptarëve të dëbuar, të cilëve iu referohet si “kriminelë shqiptarë”.
Kontaktuar nga Top Channel për më shumë detaje rreth këtyre 11 të dëbuarve, një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Londër, deklaroi:
Në mënyrë të rregullt, ne kemi fluturime dëbimi. Të 11 dëbuarit më të fundit janë persona të dënuar për prodhim e shitje droge dhe emigrantë që hynë ilegalisht. Totali dënimeve dhënë personave të dëbuar është 26 vite e 7 muaj burg. Pas nënshkrimit të marrëveshjes për deportim në vitin 2021 me palën shqiptare, ne kemi kthyer në Shqipëri më shumë se 1 mijë e 350 shtetas shqiptarë të përfshirë në kriminalitet dhe ata që mbërritën me gomone.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë angleze në burgjet e shtetit ishull në paraburgim apo në vuajtje dënimi janë mbi 1 mijë 330 shqiptarë. Secili prej tyre, në një vit i kushton shtetit anglez rreth 46 mijë stërlina ndërsa në total 57 milion stërlina në 12 muaj.