Pastërtia e figurës së zyrtarëve, Kuvendi: Institucionet të riverifikojnë certifikatat!
Institucioneve publike dhe kushtetuese u është kërkuar të bëjnë riverifikim të pastërtisë së figurës për zyrtarët e pajisur më parë me certifikatë pastërtie.
Kuadri ligjor përcakton se institucionet i dërgojnë kërkesa Autoritetit të Dosjeve duke eliminuar mundësinë që persona që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit të jenë në administratë.
Në rezolutën që Kuvendi miratoi pak ditë më parë për Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kërkohet specifikisht në pikën e dytë ky riverifikim.
Autoriteti të raportojë për përfundimet dhe pengesat ligjore që ka hasur Autoriteti gjatë zbatimit të ligjit nr. 45/2015 lidhur me verifikimin e figurave të zyrtarëve të pajisur më parë me certifikatë pastërtie figure. Pas ndryshimeve ligjore që sollën shfuqizimin e komisioneve “Bezhani” e “Mezini”, Autoriteti të bashkëpunojë me institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, me qëllim që t’i drejtohen Autoritetit me kërkesë për riverifikim të figurës së zyrtarëve të pajisur më parë me certifikatë pastërtie.
Ndërkohë është kërkuar që ky institucion të vijojë punën me ndërtimin e databazës së detajuar për personat e zhdukur, e cila do të shërbejë si Regjistër i Personave të Zhdukur për nisjen e procesit të identifikimit e rikuperimit, si dhe për krijimin e databazës së ADN-së së të afërmve të të zhdukurve.
Në një tjetër pikë, autoritetit i kërkohet të vijojë me informimin e studiuesve dhe mediave të interesuara për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, si dhe garantimin e shqyrtimit e dorëzimin e dublikatave të tyre te kërkuesi, brenda afateve kohore të përcaktuara në aktet nënligjore të dala në zbatim të ligjit organik nr. 45/2015 i ndryshuar.
Pika pesë e rezolutës ndalet në sistemimin dhe vijimin e procesit të digjitalizimit të dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, të mbledhura nga institucionet arkivore në vend, në arkivin e vetëm të Autoritetit. Po kështu të përmirësojë procedurat e brendshme për trajtimin e kërkesave individuale, institucionale, studimore e qytetare, me qëllim shkurtimin e afateve kohore të shërbimit të dokumentacionit.
Në fund është kërkuar që Autoriteti të bashkëpunojë me Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri dhe t’i krijojë lehtësira në punën e tij për të përmbushur detyrimet që burojnë nga neni 5 i ligjit nr.10 242, datë 25.2.2010, “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri” në masën dhe për qëllimet që lejon neni 26 i ligjit nr. 45/2015 i ndryshuar.