Sulmi me armë në Liqenin e Ujmanit, Sveçla: Grupet ilegale serbe po përpiqen të pengojnë punën tonë
Ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë se grupet ilegale serbe janë duke bërë përpjekje për të penguar punën e autoriteteve të Kosovës.
Ai i ka bërë këto deklarata teksa ka komentuar sulmin e së shtunës ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Sipas Policisë, njësiti për mbikëqyrjen e kufirit në Zubin Potok është sulmuar 10 herë me armë zjarri teksa ka qenë duke vendosur një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit, por nuk ka të plagosur.
Sveçla ka thënë se Policia ka qenë duke kryer kontrollin rutinor në këtë liqen.
“Gjuajtja me armë drejt zyrtarit policor është sulm ndaj institucionit kryesor të shtetit. Për më pak se 1 javë, 2 herë strukturat kriminale kanë shtënë drejt zyrtarëve policorë për t’i penguar, ose për t’i vrarë ata”, ka thënë Sveçla në një postim në Facebook.
Sipas ministrit, grupet ilegale serbe “tashmë po mbrohen dhe mbështeten edhe publikisht nga struktura të caktuara serbe”.
Ai ka thënë se autoritetet nuk do të zmbrapsen nga kryerja e detyrave të tyre, “pavarësisht çdo sulmi të organizuar apo orkestruar nga kriminelë që ju pengon puna jonë në çdo cep të Republikës së Kosovës”.
Komunat në veri të Kosovës, si Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç, janë të banuara me shumicë serbe.