Zjarret në vend, shqetësim për Mirditën e Fushë-Krujën!
Në disa zona të vendit vazhdon lufta me zjarret, ndërsa si më problematiket veçohen vatrat në Mirditë e Fushë-Krujë, ku punohet që të mos iu afrohen banesave. Në lagjen Zezë të Niklës, të favorizuara nga era e fortë, flakët përpinë sipërfaqe të mëdha me shkurre. Një ditë më parë, për arsye sigurie, OSHEE-ja u detyrua të stakonte energjinë elektrike për zonat e linjës Rrëshen-Kaçinar në qarkun e Lezhës, si rezultat i zjarreve.
Në Rrëshen, pa energji elektrike mbetën Shtufi, Kaçinari, Arrëzi, Shëngjergji, Gjinali, Qafvorrëzi, Bukmira, Simoni, Karricaj, Shpërdhaza, ndërsa në Lezhë, Ungrej, Fregen, Kalur, Kalivaç, Kashnjet, Gjobardhaj. Për linjën u vendos të mbahej e stakuar deri në normalizimin e situatës dhe eleminimin e rrezikut nga zjarri.
Në Malësinë e Kurbinit, pyjet vijojnë të digjen prej të paktën një jave. Ndërkohë në Elbasan, mbrëmë një zjarr i madh përfshiu kurorën e gjelbër. Opozita akuzoi autoritetet për mosveprim. Në një postim në Facebook, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shkroi:
Kurora e gjelbër e Elbasanit, pasuri publike natyrore, vazhdon për orë të tëra të shkrumbohet nga zjarri, papërgjegjshmëria dhe indiferenca shtetërore. Megjithë alarmet e ngritura, asnjë ndërhyrje efektive dhe asnjë masë. Ndërprisni pushimet, ngrihuni në këmbë dhe shuani zjarret!
Po për zjarrin në Elbasan reagoi edhe deputeti demokrat, Luçiano Boçi:
E tmerrshme! Qindra, mos mijëra rrënjë ullinj, të kurorës së gjelbër të Elbasanit, një pasuri e tërë kombëtare, me vlera të shumëfishta, vazhdojnë të digjen pa mëshirë, me gjithë alarmet e ngritura kudo. Asnjë ndërhyrje, asnjë masë. Zoti pastë mëshirë e sjelltë pak shi! Qeveria po zbaton moton: Me zjarrin e qeverinë mos luaj!
Dje në informacionin e përditësuar për zjarret, Ministria e Mbrojtjes njoftoi për 23 vatra, nga të cilat 19 të shuara e katër aktive. Zjarret janë të zakonta gjatë sezonit veror në vend, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era.