Mbi 50 mite për luftën në Ukrainë!

vovalbania August 09, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Mbi 50 mite për luftën në Ukrainë!

Prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, në shkurt të këtij viti, numri i faqeve në internet që përhapin dezinformata për Rusinë dhe Ukrainën, është rritur më shumë se dyfish. Kështu thuhet në raportin e grupit me seli në Nju Jork, NewsGuard. Sipas raportit, ekspertët e grupit kanë identifikuar 250 faqe të internetit që kanë publikuar materiale dezinformuese për këto dy shtete, në krahasim me 116 që ishin në muajin mars.

Në disa vende, platformat si Google, Twitter, Facebook dhe TikTok kanë vendosur masa të përkohshme kundër platformave të propagandës ruse si RT e Sputnik, pasi Komisioni Europian iu ndalon transmetimin këtyre dy mediave të financuara nga Kremlini. Një numër i madh i të tjera faqeve të identifikuara nga NewsGuard, shpërndajnë lirisht mite në internet. Raporti përmend 54 “mite” që përhapen nga këto faqe për luftën pesëmujore në Ukrainë apo edhe për tetë vitet e konfliktit mes Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, në rajonin e Donbasit.

Aty përfshihen pretendime se Shtetet e Bashkuara kanë laboratorë në Ukrainë për zhvillim të armëve biologjike, se trupat ruse nuk janë përgjegjëse për masakrën e civilëve në Buça në muajin mars, se rusët nuk kanë sulmuar stacionin e trenave në Kramatorsk në lindje të Ukrainës.

Në shumicën e faqeve nuk shihen pronarët dhe ato prezantohen si institute të pavarura apo si organizata joqeveritare. Zv.presidentja e Komisionit Europian, Vera Jourova, e ka përshkruar dezinformimin si “problem në rritje në BE”, ndaj duhet të merren masa shtesë.

NewsGuard ka nisur të gjurmojë dezinformatat për Rusinë dhe Ukrainën, pak pasi mijëra trupa ruse të niseshin në kufirin ukrainas. Presidenti rus, Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65490 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE