28 vatra zjarri në 24 orë në vend!

vovalbania August 10, 2022 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
28 vatra zjarri në 24 orë në vend!

Drejtori i Gatishmërisë dhe Përgjegjës ndaj Emergjencave në AKMC, Robert Hysenllari informoi sot mbi situatën e zjarreve. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në AKMC, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri.

Janë shuar vatrat nën fshatin Mali i Jushit, bashkia Vau Dejës; në fshatin Gjegjan dhe mbi kurorën e qytetit Pukë; në fshatin Bershi, bashkia Klos; në fshatin Arapaj, bashkia Durrës; në Parkun Kombëtar Qafshtamë, bashkia Krujë; në fshatin Torovicë, bashkia Lezhë; në fshatin Shpërdhezë, bashkia Mirditë; në fshatin Lezhan, bashkia Selenicë; në fshatin Vanë, bashkia Delvinë; në fshatrat Dyshnik dhe Mbreshtan, bashkia Berat; në lagjen Gronic, dhe fshatin Sheper, bashkia Gjirokastër; në fshatrat Çollakaj dhe Blerimaj, bashkia Kavajë; në fshatin Spille, bashkia Rrogozhinë; në fshatin Ferras, bashkia Fier; në fshatin Peshtan i Madh, bashkia Fier.

Në fshatin Lam i Madh, Bashkia Mat, ditën e djeshme për izolimin dhe shuarjen e zjarrit janë angazhuar forcat e pushtetit vendor, të mbështetur nga 30 forca të armatosura. Në krahun e bashkisë Mirditë janë angazhuar shërbimi zjarrfikës dhe punonjësit e njësisë administrative Selitë; dhe zjarri në vendin e quajtur “Liqeni i Zi German” bashkia Mat, ku janë angazhuar për shuarjen e tij forcat në nivel vendor, të mbështetur nga 20 Forca të Armatosura.

Janë shuar edhe vatrat në njësinë administrativë Postribë, të bashkisë Shkodër, për të cilën ditën e djeshme janë angazhuar forcat e pushtetit vendor të mbështetur nga 60 Forca të Armatosura. Në fshatin Plashnik i Madh, bashkia Poliçan, është shuar ditën e djeshme nga forcat e pushtetit vendor, të mbështetur nga 40 Forca të Armatosura.

Në operacion për shuarjen e vatrave gjatë 24 orëve të fundit janë angazhuar 709 forca Operacionale, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Forca të Armatosura, forca bashkiake, forca policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimi pyjor, forca vullnetare dhe janë angazhuar 36 mjete zjarrfikëse.

Aktualisht janë aktive vatrat në fshatin Shetaj, bashkia Durrës, në orët e para të mëngjesit, janë angazhuar forcat shërbimit zjarrfikës, të mbështetur nga Forcat e Armatosura për vënien nën kontroll të zjarrit. Në fshatin Mal Bardhë, bashkia Kurbin, për të cilin ditën e djeshme janë angazhuar forcat e pushtetit vendor, të mbështetur nga 50 Forca të Armatosura. Sot po bëhet monitorimi dhe kontrolli i vatrave nga pushteti vendor.

Në fshatin Sojnik, bashkia Gramsh, për të cilin ditën e djeshme janë angazhuar forcat e pushtetit vendor të bashkisë Gramsh, të mbështetur nga shërbimi zjarrfikës i bashkisë Cërrik dhe Belsh. Sot ka vijuar operacioni nga forcat e pushtetit vendor. Në fshatin Prongji, bashkia Gjirokastrër, është riaktivizuar vatra e zjarrit e cila u fik ditën e djeshme, ku janë angazhuar forcat e Pushtetit vendor, të mbështetur nga Forcat e Armatosura.

Hysenllari u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë pranë strukturave të policisë së shtetit çdo rast të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme si dhe të tregojnë kujdes të shtuar në këto ditë me temperatura të larta në përdorimin e mjeteve ndezëse dhe çdo aktivitet tjetër në lidhje me zjarret.

Kujtojmë se zjarrvënia e qëllimshme dënohet sipas ligjit. Të gjitha forcat dhe kapacitetet e sistemit të Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë për përgjigjen ndaj situatave të shkaktuara nga zjarri apo dhe çdo emergjence tjetër.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 52180 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE