SHBA rivalizon Kinën, synon prodhimin e mikroprocesorëve!
Presidenti amerikan, Joe Biden nënshkroi të martën ligjin që ofron 52.7 miliardë dollarë subvencione për prodhimin e gjysmëpërçuesve në Shtetet e Bashkuara dhe për ta bërë vendin më konkurrues ndaj hulumtimeve shkencore dhe teknologjike të Kinës. Shtëpia e Bardhë tha se miratimi i projektligjit do të nxisë investime të reja në fushën e mirkoprocesorëve.
Materiali në vijim nga fabrika prodhuese e mikroprocesorëve në Nju Jork, “Global Foundries” sjell detaje nga prodhimi që bëhet aty dhe rëndësia që ka ligji i ri amerikan për këtë industri.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se kompania “Qualcomm” me seli në Kaliforni, ra dakord të hënën të blejë një sasi shtesë mikroprocesorësh prej 4.2 miliardë dollarësh nga fabrika “GlobalFoundries” në Nju Jork.
Kjo e rrit totalin e blerjeve në 7.4 miliardë dollarë, kontratë kjo që do realizohet deri në vitin 2028.
“Në vitet ‘90 SHBA-ja prodhonte 37 për qind të mikroprocesorëve në botë. Sot, kjo shifër ka rënë në 12 për qind. Kjo është ajo që duhet të bëjë ligji i mikroprocesorëve, të zvogëlojë konkurrencën globale, për ta sjellë prodhimin përsëri në SHBA. “GlobalFoundries”, pasi të vijnë fondet nga ligji i ri, do të rrisë prodhimin e mikroprocesorëve në SHBA”, thotë shefi i “GlobalFoundries, Tom Caulfield.
Shtëpia e Bardhë tha gjithashtu se kompania amerikane, “Micron” ka bërë të ditur një investim prej 40 miliardë dollarësh në prodhimin e mikroprocesorëve për ruajtjen e të dhënave, i cili do të rriste pjesën e tregut amerikan nga 2% në 10%.
Legjislacioni synon të zbusë mungesat e vazhdueshme, që kanë prekur gjithçka, nga makinat, armët, lavatriçet dhe videolojërat.
“Ka mungesë të gjithçkaje. Ne po bëjmë çmos për të shtuar prodhimin. Për më tepër, edhe kur prodhojmë, ne përdorim shumë kimikate dhe gazra speciale. Çdo ditë duhet të sigurohemi që po i ruajmë linjat furnizimi dhe logjistikën e nevojshme për t’i mbajtur fabrikat tona në funksion”, thotë më tej zoti Caulfield.
Udhëheqësit e kësaj fabrike tregojnë për procesin e gjatë për të arritur deri tek gjysëmpërçuesit.
“Ky është një disk silikoni, mbi 30 centimetra. Ka të tjerë që janë më të vegjël. Në sipërfaqe të tij, ne bëjmë përpunimin tonë. Duhen 90 ditë për të krijuar gjysmëpërçuesit që ne shesim. + (deklaratë tjetër) Në këtë disk të veçantë ne prodhojmë 500 deri në 600 mikroprocesorë të ndryshëm. Nëse projekti ka më pak karakteristika, nga këtu dalin deri në 15,000 mikroprocesorë”, sqaron zoti Caulfield.
Menaxheri i prodhimit, Christopher Belfi tregon për pjesën më të rëndësishme të prodhimit.
“Një nga proceset më të rëndësishme quhet fotolitografia, dhe ashtu siç tingëllon, ne në fakt po i printojmë projektet fizike në mikroprocesorë dhe kjo përfshin të gjithë pronën intelektuale të klientit, ndërsa procesi dikton aftësinë dhe funksionalitetin e mikroprocesorit”, thotë menaxheri i prodhimit te “GlobaFoundries”, Christopher Belfi.
Shumë ligjvënës amerikanë kanë thënë se normalisht nuk do të mbështesnin subvencione të mëdha për bizneset private, por vunë në dukje se Kina dhe Bashkimi Evropian tanimë kanë dhënë miliarda dollarë si stimulim për kompanitë e tyre të mikroprocesorëve.
Kina ka lobuar kundër projektligjit të gjysmëpërçuesve. Ambasada kineze në Uashington tha se Kina “e kundërshton fuqishëm” atë, duke thënë se të kujton “mentalitetin e Luftës së Ftohtë”
Mirëpo, prodhuesit amerikan e vlerësojn ligjin e ri si të nevojshëm dhe shtojnë se autoritetet amerikane tani duhet të investojnë në gjetjen e talenteve të reja për këtë fushë.
“Ligji për mikroprocesorët përmirëson rregullat e lojës në mënyrë që prodhimet amerikane të kenë mundësi konkurrimi në botë. Më pas kemi nevojë për krijimin e talentëve të rinj. Ne duhet ta bëjmë prodhimin, sidomos prodhimin e mikroprocesorëve që janë janë në thelb të ekonomisë botërore, një fushë interesante dhe e rëndësishme. Unë mendoj se vëmëmëndja që po i jepet tani për shkak të krizes së furnizimit po e ndihmon këtë kauzë”, thotë shefi i “GlobalFoundries”,
Legjislacioni autorizon 200 miliardë dollarë përgjatë 10 viteve të ardhshme për të nxitur hulumtimet shkencore të SHBA-së për t’i bërë ballë konkurrencës nga Kina. Kongresi amerikan megjithatë duhet të miratojë legjislacion shtesë për të financuar këto investime.