Avionë rus survejim pranë hapësirës ajrore të Alaskës
Ushtria amerikane thotë se avionë spiunë rus hynë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të Alaskës në dy raste të veçanta gjatë dy ditëve të fundit.
Avionët luftarakë amerikanë të tipit F-22 e detyruan largimin e avionit të dytë rus pas futjes në hapësirën ajrore, tha një zyrtar i Pentagonit. Në të dy rastet, tha zyrtari amerikan, ishte i përfshirë i njëjti lloj avioni spiun.
Një zonë identifikimi e mbrojtjes ajrore shtrihet përtej hapësirës ajrore të një shteti, për të përfshirë një zonë në të cilën një vend përpiqet të identifikojë, lokalizojë dhe kontrollojë avionët me qëllim të mbrojtjes së sigurisë kombëtare.
Komanda e Mbrojtjes Ajrore të Amerikës së Veriut, shkurtimisht NORAD, shkroi në rrjetet sociale të mërkurën se avionët rus qendruan në hapësirën ajrore ndërkombëtare dhe nuk u futën në hapësirën ajore amerikane apo kanadeze.
“Jemi të gatshëm të përdorim një sërë alternativash kundërveprimi në mbrojtje të Amerikës së Veriut dhe sovranitetit të Arktikut”, thuhej në postimin e NORAD-it.
Ky është incidenti i parë i raportuar për avionët ushtarakë rus pranë hapësirës ajrore të Alaskës në vitin 2022, por vitet e fundit incidente të tilla janë bërë të zakonshme.
Gjatë vitit 2020 pati 14 raste të gjurmimit të avionëve ushtarakë rus pranë zonës së identifikimit të mbrojtjes ajrore në Alaskë, niveli më i lartë në vitet e fundit. Gjashtë incidente të tilla u shënuan vetëm brenda një muaji.
Në muajin shkurt, Rusia filloi një agresion në shkallë të gjerë kundër Ukrainës.
Duke folur për Zërin e Amerikës në fillim të këtij viti, Senatori Dan Sullivan i shtetit të Alaskës tha se gjatë viteve të fundit ushtrisë amerikane i është dashur të përdorë më shumë avionë për të zbrapsur avionët ushtarakë rusë, ndoshta më shumë se çdo herë tjetër që nga mesi i viteve 1980.
“Ata janë agresivë edhe këtu, dhe e vetmja gjë që Putini kupton dhe e vetmja gjë që sipas mendimit tim Xi Jinping (presidenti i Kinës) kupton në këtë epokë të re të agresionit autoritar është forca”, tha Senatori Sullivan.