Greqia e prerë: Nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës

vovalbania August 11, 2022 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Greqia e prerë: Nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës

Ambasadori i Greqisë në Beograd, deklaroi prerë se Athina nuk do ta ndryshojë qëndrimin në raport me Kosovën, pra nuk do ta njohë pavarësinë. Megjithatë, diplomati Giorgos Giakofotakis theksoi se Greqia ka raporte të mira me Kosovën në fushën e ekonomisë dhe atë të tregtisë.

Greqia është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur Kosovën, bashkë me Spanjën, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës deklaron se Prishtina dhe Athina zyrtare tashmë kanë marrëdhënie të mira dypalëshe dhe shton se “Kosova është shumë e interesuar në thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me Greqinë”.

“Kosova është e angazhuar për të forcuar bashkëpunimin në të ardhmen dhe në mënyrë që ky bashkëpunim të rezultojë me njohje nga Greqia, si një shtet i rëndësishëm për ne në BE dhe në rajon”, tha MPJD-ja.

MPJD-ja po ashtu tha se Kosova është optimiste për këtë çështje, duke pasur parasysh fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve.

“Për më tepër, ne jemi duke punuar në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e ekonomisë, kulturës, por edhe në fusha të tjera, që janë të rëndësishme për të dyja vendet”, tha ministria.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu nuk ka treguar saktë nëse autoritetet e Kosovës do të ndërmarrin ndonjë hap konkret për të bindur pesë shtetet anëtare të BE-së, që nuk e njohin Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë.

Sa i përket marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Athinës zyrtare, Kryeziu theksoi se Greqia ka mbështetur Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare si dhe mbështetë vendimin për liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian të Kosovës.

“Ne besojmë se kjo qasje miqësore duhet të rezultojë në bashkëngjitjen e Greqisë me shtetet e tjera të BE-së që e kanë njohur Kosovën”, tha Kryeziu.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 47800 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE